Moti i keq me shi e borë, rëndohet situata në vend
TIRANE-Një situatë e rënduar ka përfshira mëngjesin e sotëm shumë zona në vend për shkak të motit të keq me shi e borë. Situata kritike paraqitet në Fier, Dibër, Kukës, Gjirokastër, Mat e Gramsh ku përmbytjet kanë izoluar mijëra banorë dhe shkaktuar dëme materiale. Fier Lumi Gjanicë është bërë shkak për të dytën herë brenda muajit për situatën dramatike në tregun e qytetit dhe banesat pranë shtratit të lumit. Si pasojë tregu industrial i qytetit është përmbytur në një sipërfaqe të madhe duke bllokuar jo vetëm punën por dëmtuar dhe mallin e tregtarëve. Shirat e rënë pa ndërprerje gjatë natës kanë shkaktuar daljen e lumit nga shtrati dhe përmbytur disa banesa pranë shtratit të lumit. Banorët janë evakuuar deri në stabilizim të gjendjes. Gjirokastër Reshjet e shumta të shiut në qytetin e Gjirokastrës kanë shkaktuar përmbytjen e nënstacionit elektrik duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike që prej mesnatës. Ndërkaq një pjesë e lumit Drino ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur rrugën për në Lunxhëri. Po kështu e përmbytur rezulton dhe rruga Përmet-Carshovë. Ndërkohë rruga nacionale që lidh qytetin e Përmetit me Tre Urat, që është edhe pikë kufitare me Greqinë, është bllokuar sot si pasojë e rrëshqitjeve të dheut. Shirat e shumtë kanë shkaktuar lëvije të dherave në zonën e quajtur Rrethi i Bablonjës. Deri më tani, fadromat nuk kanë mundur të hyjnë në këtë zonë, ndërkohë që rrëshqitjet vazhdojnë ende. Problem mbeten edhe shkëmbinjtë që depërtojnë në këtë rrugë nga lartësitë. Dibër Në veri të vendit problem janë bërë reshjet e borës që kanë sjellë bllokim të disa komunave për shkak të akseve rurale të mbulura nga trashësia e borës. Kështu në rrethin e Dibrës probleme janë shkaktuar në komunat Lurë, Kala e Dodës që rezultojnë prej disa ditësh të bllokuara. Në Bulqizë komunat e thella malore Ostreni, Selishta, Zercani, Trebishti dhe Krasta po kështu rezultojnë të bllokuara nga bora. Gramsh Në këto kohë me ot të paqëndrueshëm dhe temperatura të ulëta situate rënduar përcillet dhe nga qyteti i Gramshit. Mësohet se komuna Kukur prej disa ditësh rezulton e bllokuar për shkak të reshjeve të borës. Komuna ndodhet prej dy ditësh pa energji elektrike si pasojë e këputjes së telave të shtyllave. Kukës Edhe rrethi i Kukësit është përfshirë nga moti i keq me temperatura të ulëta. Në këtë rreth komunat Zapodi e Arreni qëndrojnë të bllokuara nga bora. Po kështu dhe disa fshatra të Hasit kanë pësuar të njëjtin fat. Situata e rënduar paraqitet dhe në akset Kukës-Peshkopi. Kukës-Shishtavec e Bushtricë ku është njoftuar për vështirësi qarkullimi të automjeteve. Mat Pasojave nga reshjet e borës dhe shiut të rëna ditët e fundit nuk ka shpëtuar as Mati. Nga reshjet e shumta është shembur ura e Lufit duke izoluar 20 mijë banorë të qytetit. Si pasojë e shembjes së urës një person ëhstë plagosur dhe ka përfunduar në spitalin rajonal, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Juglindje Probleme nga bora janë shkaktuar dhe në Qafë Thanë ku autoritete vendore kanë lajmëruar gjithë drejtuesit e mjeteve të vendosin zinxhirat për qarkullim. Probelem të njëjta dhe në Qafë Kërrabë.(d.b/BalkanWeb)