Moti i keq në Lezhë, bllokime rrugësh dhe dëmtime në infrastrukturë

Qarku i Lezhës është përfshirë nga reshje shiu të fuqishme dhe erë të fortë që nga mesnata e sotme. Sipas të dhënave nga stacioni meteorologjik ushtarak në Gjadër, janë regjistruar 46 mm shi deri në orën 06:00, dhe 12 mm shi pas kësaj ore.
Në Bashkinë e Kurbinit, problematika më e madhe ka qenë furnizimi me energji elektrike në qytetin e Milotit, i cili është rikthyer pas ndërhyrjes nga grupet e OSHEE. Po ashtu, është raportuar prezencë uji në banesën e shtetasit Petrit Sela në Fushë-Mamurras, ndërsa nënkalimi i Mamurrasit është bërë i pakalueshëm për shkak të ujit të lartë.
Në Bashkinë e Lezhës, erërat e forta kanë shkaktuar rrëzimin e një plepi në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në disa fshatra, përfshirë Ishull Lezhë, Torovicë dhe Dajç. Po ashtu, ka pasur prezencë uji në oborrin e shkollës “Kosova” dhe shkollës “Nënë Tereza”, por procesi mësimor ka vijuar normalisht.
Në Bashkinë e Mirditës, nuk ka pasur problematika deri tani. Furnizimi me ujë të pijshëm është në rregull, ndërsa hidrovorët janë në gadishmëri për të menaxhuar prurjet e larta nga lumenjtë Drin dhe Mat, të cilët janë rritur, por ende brenda parametrave normalë.
Grupet e shërbimit po ndërhyjnë në terren për të normalizuar situatën dhe për të siguruar funksionimin e infrastrukturës dhe institucioneve.
