Moti i keq pa energji zona te ndryshme ne vend

Moti i keq në mbarë vendin dhe shirat e 24 orëve të fundit kanë shkaktuar defekte në nënstacionet e energjisë dhe ndërprerje të furnizimit me energji në qytete dhe zona të ndryshme.
Kompania CEZ Shpërndarje njofton se nga shiu i rënë gjatë natës është shkaktuar një defekt në nënstacionin e Selitës dhe për pasojë kanë mbetur pa energji elektrike disa zona në Kryeqytet dhe periferi të saj. Kështu në Tiranë sipas CEZ Shpërndarje aktualisht janë pa energji elektrike, Zona pranë shkollës Vasil Shanto, ajo pranë ish-ekspozitës Shqipëria Sot, drejtoria e Policisë deri tek parku rinia si dhe zona pranë Kopshtit botanik. Gjithashtu po sipas CEZ kanë mbetur pa energji nga moti i keq edhe disa zona periferike të kryeqytetit si Selita, Sauku pjesërisht dhe Yzberishti pjesërisht.
Burime pranë kompanisë së Shpërndarjes CEZ, bëjnë me dije se edhe në disa qytetet dhe fshatra të tjera në vend mungon energjia elektrike. Kështu kanë pësuar defekte nga shirat e shumtë gjatë 24 orëve të fundit tranformatori në nënstacionin Ibë dhe për pasojë kanë mbetur pa energji, Iba, Krraba, Baldushku dhe Petrela. Me defekte rezultojnë edhe linja Gjirokastër –Grapsh ku energjia mungon në disa fshatra të që mbulon kjo linjë. Ndërsa njoftohen pa energji elektrike sipas CEZ edhe linja e Ujit të Ftohtë në Vlorë-Radhimë dhe Orikum. CEZ njofton gjithashtu se nga moti i keq janë dëmtuar një numër i madh fidrash që furnizojnë kryesisht zonat periferike në të gjithë vendi. Ekipet e CEZ shpërndarje po punojnë për riparimin e defekteve në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, Operatori i Sistemit të shpërndarjes bën me dije se shirat e shumtë në tre ditët e fundit kanë shtuar prurjet në hidrocentrale, ku vetëm në Fierzë niveli i ujit ka arritur në 255 metra dhe prurjet kanë qenë nga 100-120 metra kub në sekond. Sipas OST, për momentin Fierza është mbyllur dhe nuk po prodhon energji për shkak të grumbullimit të rezervave të ujit. Por pavarësisht rritjes së nivelit të ujit OST njofton se po vijon importi i energjisë elektrike nga vendet fqinje deri në 700 mega vat në ditë dhe konsumi në vend ka arritur në 18 milionë kilovat orë në ditë. Sipas OST ky është edhe niveli më i lartë i konsumit krahasuar me periudhën e verës.