E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq përfshin Vlorën, era e fortë rrëzon disa pemë, bllokohet përkohësisht qarkullimi në disa rrugë

Moti i keq dhe era e fortë që kanë përfshirë qytetin e Vlorës gjatë orëve të fundit ka rrëzuar disa pemë në akset rrugore duke bllokuar përkohësisht qarkullimin.

Për shkak të intensitetit të lartë dhe shpejtësisë së erës, e cila ka arritur deri në 20 m/s, janë rrëzuar dy pemë në zonën e Transballkanikes dhe në brendësi të lagjes “Lungomare”.

Pemët e rrëzuara kanë bllokuar pjesërisht qarkullimin në rrugë, duke sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të forcave zjarrfikëse. Ekipet kanë punuar për largimin e tyre dhe normalizimin e situatës në akset e prekura.

Ndërkohë, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe erës së fortë në det, është vendosur pezullimi i lundrimit detar deri në ditën e nesërme.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, sidomos pranë zonave me pemë dhe në afërsi të bregdetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›