Moti i keq përfshin Vlorën, erërat e forta shkaktojnë kaos dhe dëme materiale në Lungomare

Një mot i keq me erëra të stuhishme ka përfshirë pasditen e sotme qytetin e Vlorës, duke shkaktuar kaos në disa zona të ndryshme. Erërat e forta kanë goditur veçanërisht vijën bregdetare, ku ngritja e rërës përgjatë shëtitores së Lungomares e ka bërë pothuajse të pamundur qarkullimin e këmbësorëve.
Stuhia ka shkaktuar dëme materiale në mjaft biznese që ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë, ku shumë orendi janë zhvendosur apo dëmtuar nga forca e erës.
Dendësia e rërës së ngritur në ajër nga erërat e stuhishme ka krijuar një situatë mjaft të vështirë për qytetarët dhe pushuesit, duke reduktuar fushëpamjen dhe duke e bërë të pamundur lëvizjen normale në këmbë përgjatë shëtitores bregdetare. Përveç pengesave në qarkullim, forca e erës ka goditur drejtpërdrejt bizneset e zonës, veçanërisht ambientet e tyre të jashtme.
Çadrat e plazhit dhe mbulesat e restoranteve përgjatë shëtitores kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Shumë biznese janë detyruar të mbyllin përkohësisht hapësirat e jashtme për arsye sigurie.
Autoritetet dhe shërbimet e emergjencës po ndjekin situatën në terren për pastrimin e akseve kryesore dhe stabilizimin e gjendjes, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve dhe biznesit të tregojnë kujdes gjatë periudhës së kohëzgjatjes së erërave të forta.
/rtsh.al/