Moti i keq, pezullohet lundrimi për mjetet e vogla në Vlorë

Moti i përkeqësuar në Vlorë, i shoqëruar me erëra të forta, ka sjellë pezullimin e lundrimit detar për një pjesë të mjeteve lundruese.
Kapiteneria e Portit Detar të Vlorës ka konfirmuar se është ndaluar lundrimi për mjetet e vogla lundruese dhe për anijet e peshkimit, si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike.
Megjithatë, pezullimi nuk prek tragetin e linjës Vlorë–Brindisi, i cili do të vijojë lundrimin normal drejt Italisë, pasi kushtet aktuale lejojnë qarkullimin e anijeve të mëdha.
Nga Kapiteneria bëhet me dije se u është kërkuar mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit të qëndrojnë në vendstrehime të sigurta, me qëllim shmangien e çdo rreziku të mundshëm për jetën e ekuipazheve dhe dëmtimeve materiale.
Ndërkohë, sipas parashikimeve meteorologjike, situata e motit pritet të përmirësohet duke nisur nga mbrëmja e kësaj të premteje, çka mund të sjellë edhe rikthimin gradual të lundrimit detar në normalitet./vizionplus.tv