E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motivi i Milanit të ri: “Hakmarrje”

Nga 31 maji e deri më sot, Interi ka blerë Tiago Motën dhe Militon, ka mbajtur Ibrahimoviçin e Maikonin; Juvja ka shtuar në organikën e saj Diegon, Kanavaron e Felipe Melon; Milani ka shitur Kakànë dhe ka marrë Tiago Silvën e Onievun. Ku ekziston optimizmi atëherë që “kalon” në korridoret e Milanelos? Pipo Inzagi iu përgjigj kështu pyetjes para pak ditësh: “Armët tona janë entuziasmi i Leonardos, dëshira për të fituar dhe përgjegjësia e madhe e secilit prej nesh pas shitjes së Kakàsë”.

Por është edhe një tjetër motiv i fortë, që nuk i takon Pipo Inzagit (autor i 34 golave në dy sezonet e fundit), por shumë prej shokëve të tij. Quhet dëshirë për “hakmarrje”. Cilët janë? Dida, Nesta, Kalaxe, Gatuzo, Flamini, Borrielo e natyrisht Ronaldinjo. Nëse secili prej tyre do të arrijë të marrë revanshin që u takon, ecuria e Milanit do të jetë e mirë.

RONALDINJO - Rasti i brazilianit është ai më emblematiku, sepse për të është viti i së vërtetës. Ose luan mirë, ose qëndron jashtë, siç ndodhi me Ançelotin. Pa Kakànë, Dinjo do të ketë më shumë hapësirë në krahun e majtë. Shokët e shohin të motivuar, por do të jetë rasti i tij i fundit për t’u kthyer në një kampion.

DIDA - Portieri titullar është Abiati, që po riaftësohet pas operacionit dhe mund të jetë gati për fillimin e sezonit të ri. Dida ka akoma edhe një vit kontratë të majme, mund të vazhdojë të luajë në nivel të ulët si kohët e fundit ose të rimarrë vendin e titullarit ose të gjejë një skuadër tjetër për sezonin e ri.

NESTA - Asnjë në Milanelo nuk besonte te riaftësimi i tij. Tani që të gjithë janë të bindur që ai është mirë, është vetë Sandroja që ndalon: “Nuk kam dhembje, por prova e së vërtetës do të jetë në turneun e SHBA-së me shumë ndeshje të rradhazi”. Ajo e Nestës
do të ishte “hakmarrja” më e bukur nga të gjithë.

KALAXE - Nuk flitet për Kakànë. Dyshja me Nestën ishte konsideruar më e mira në botë, por më pas “u përça”. Tani kanë ardhur Tiago Silva e Onievu, është Bonera që jep siguri. Në moshën 31-vjeçare, për gjeorgjianin nuk është akoma momenti për të pushuar së luftuari.

GATUZO - Nuk ishte mësuar të qëndronte pa luajtur gjashtë muaj. Dhe ishte aq i mërzitur nga kjo mungesë e gjatë, aq sa ka reduktuar pushimet për të rifilluar stërvitjen me skuadrën. Rinoja i vërtetë nuk shihet prej pak kohësh, me siguri ky do të jetë viti i duhur, sepse në “lojë” është edhe Botërori.

FLAMINI - Për blerjen e tij një vit më parë, Adriano Galiani krenohej. Por rezultatet ishin inferiore ndryshe nga parashikimet, sepse të hysh në mesfushën e Milanit, është historikisht e vështirë. Me Leonardon do të ketë ndonjë të re taktike dhe Flamini është gati të përfitojë menjëherë.

BORRIELO - Çfarë do të kishte ndodhur nëse Markoja nuk do të dëmtohej shpesh në vitin e shkuar? Më mirë të mos mendohet, por të shikohet përpara. Mjafton që të mos dëmtohet më, pjesa tjetër vjen vetë, sepse Borrielo ka teknikë, forcë fizike dhe nuhatje për gol.

start/ssh

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›