E Enjte, 5 Nëntor 2026

Moto GP, Horhe Martin niset i pari të dielën

Kampionati Botëror i Motoçklizimit zhvillon të dielën garën e 10-të të këtij sezoni, atë të Çmimit të Madh të Shtajermarkut, apo thënë ndryshe të Stirias. Ai mbahet për të dytin vit radhazi, teksa u mbajt fillimisht vitin e shkuar, për shkak të rrethanave të krijuara nga epidemia e virusit “Covid-19” dhe është i pari i dy garave të njëpasnjëshme që mbahen në pistën e Shpilbergut në Austri. Dhe ka qenë i riu i skuadrës kliente të “Dukatit”, “Pramak”-ut, Horhe Martin, ai që siguroi për herë të dytë këtë sezon nisjen nga vendi i parë, pasi kryesuesit të renditjes së përgjithshme të pilotëve, Fabio Kuartararo, iu anuluar xhiroja e tij më e shpejtë.

Martin i kishte shtangur të gjithë në Çmimin e Madh të Dohas, në garën e dytë të sezonit dhe i shtoi atij një tjetër të shtunën, duke regjistruar të parën kohë në 1 minutë e 23 sekonda për xhiro. Ai e arriti këtë pavarësisht një përpjekjeje të fundit nga Kuartararo, i cili e humbi kohën më të shpejtë për tejkalim të kufizimeve të pistës. Kuartararo arriti të regjistronte kohën 1 minutë, 22 sekonda e 958 të qindtat, duke i marrë vendin e parë Martinit, por piloti i “Jamaha”-s kishte shkelur kufirin e pistës në kthesën e 3-të dhe u detyrua të kënaqej me vendin e 3-të.

Françesko Banjaja do ta nisë nga vendi i dytë, ndërsa radha e dytë e nisjes do të përbëhet nga Xhek Miller, kampioni në fuqi i botës, Joan Mir, dhe Johan Zarko. Sikundër këto prova zyrtare të së shtunës, edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›