Mourinho reagon për polemikën e Mbappes me Kinën

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka deklaruar se klubi madrilen e ka mbyllur çështjen e polemikës së krijuar nga komentet e Kylian Mbappes për një fotografi dhe një koment humoristik që i lidh ato me ish-liderin kinez Mao Ce Dun.
Deklaratat e sulmuesit francez shkaktuan reagime të shumta në Kinë, duke bërë që Mbappe, Real Madridi dhe La Liga të kërkonin falje publike.
Megjithatë, televizioni shtetëror kinez vendosi të largojë transmetimet e futbollit spanjoll nga programacioni i tij.
Mourinho ka vlerësuar reagimin e shpejtë të klubit dhe të futbollistit, duke theksuar se për Real Madridin kjo çështje është e mbyllur.
“Kam parë shumë përgjegjësi nga një klub që në këtë nivel është një klub me klas të madh. Sa na përket neve, e kemi bërë pjesën tonë dhe nuk kemi asgjë tjetër për të bërë”, deklaroi Mourinho.
Trajneri portugez foli edhe për reagimet që mund të shkaktojnë deklaratat e sportistëve në kohën e sotme, duke thënë se duhet pasur kujdes me atë që thuhet publikisht.
“Me këtë situatë që përfshin Kinën, këto janë rreziqet e botës së sotme, ku shumë herë gjëja më e mirë që mund të bësh është të heshtësh, sepse ka rrezik në shumë gjëra që thua apo komenton”, u shpreh ai.
Në konferencën për media, Mourinho foli edhe për Kylian Mbappen pas ceremonisë së Topit të Artë, ku francezi përfundoi në vendin e dytë, prapa sulmuesit të Bayern Munichut, Harry Kane.
Ai e vlerësoi maturinë dhe respektin e Mbappes ndaj fituesit të çmimit.
Portugezi, i cili kishte punuar me Kane te Tottenham gjatë viteve 2019-2021, u shpreh i lumtur për suksesin e sulmuesit anglez.
Lajme të Sugjeruara