E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho, si baba i dytë

Mesut Ozil thotë se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho i është bërë si një baba i dytë, në karrierën e tij si futbollist. 23-vjeçari ishte njëri prej përforcimeve më të hershme të trajnerit portugez, i cili iu bashkua ekipit madrilen kah mesi i vitit 2010.

Përfaqësuesi gjerman, i cili ishte blerë nga Werder Bremeni, si rezultat i paraqitjeve të shkëlqyeshme në Botërorin e Afrikës së Jugut, është përforcuar gradualisht nën urdhrat e ‘Special One’. Marrëdhëniet në mes të tyre tashmë janë përforcuar.

“Mourinho për mua është si një baba i dytë. Ai është një mësues i shkëlqyeshëm, me një karakter të fortë dhe trajner i dashur për të gjithë futbollistët e tij”, thotë futbollisti me prejardhje turke për NTVSpor.

Ozil nuk mendon se ‘Los Blancos’ gjenden prapa rivalit kryesor dhe të përjetshëm, Barcelona, përkundër humbjeve në ndeshjet e fundit. Madje, ish-futbollisti i Werderit, vitin 2012 e sheh me plot suksese.

“Vitin që vjen dëshiroj të fitoj trofe, si me Gjermaninë, ashtu edhe me Real Madridin. Rezultatet e dobëta kundër Barcelonës arritën si shkak i fatit të keq, por ne jemi liderë në La Liga, tri pikë përpara tyre”, përfundoi Ozil, i cili njihet për qetësinë e tij në fushë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›