Moxarti i poezisë

Szymborska, një duhanxheshë e rëndë, vdiq nga kanceri në mushkëri, të mërkurën mbrëma, në shtëpinë e saj në qytetin jugor të Krakow, tha sekretarja e saj personale Michal Rusinek.
Ajo vdiq e rrethuar nga të afërmit dhe miqtë, tha Katarzyna Kolenda-Zaleska, gazetare dhe mike e poetes.
Në citimin e komitetit të Nobelit ajo është quajtur ‘Moxart i poezisë’, një grua që e ka kombinuar elegancën e gjuhës me ‘vrullin e Beethoven-it’ dhe temat serioze i ka kapur me humor. Derisa në Poloni konsiderohej si poetja më popullore, pjesët tjera të botës nuk kishin dëgjuar për Szymborska-n e ndruajtur që flet butë, para se ajo ta fitonte çmimin Nobel.
Ministri i Jashtëm Radek Sikorski tha në Twitter se vdekja e saj ishte ‘një humbje e pandreqshme për kulturën e Polonisë’.
“Çmimi Nobel e solli ‘një revolucion’ në jetën e poetes modeste dhe ajo duhej të luftonte për të mbrojtur privacitetin e saj”, tha Rusinek, por shpërblimi gjithashtu qe “një kënaqësi e madhe, një nder i madh që i solli miq të rinj dhe ndryshime për të mirë.”
Pavarësisht nga gjashtë dekada të të shkruarit, Zonja Szymborska ka botuar më pak se 400 poezi.
E pyetur pse, ajo njëherë u përgjigj: “Është një kovë e plehrave në dhomën time. Një poezi e shkruar në mbrëmje lexohet prapë në mëngjes. Nuk mbijeton gjithherë”.
Wislawa Szymborska u lind në fshatin Bnin, tani pjesë e Kornik, afër Poznan-it në Poloninë Perëndimore, më 2 korrik të vitit 1923. Tetë vjet më vonë ajo u zhvendos bashkë me prindërit në Krakow dhe krijoi lidhje të thella me qytetin mesjetar, me mjedisin e pasur artistik dhe intelektual. Ajo jetoi atje deri kur vdiq.
Pasi nazistët e pushtuan Poloninë në shtator të vitit 1939, duke e filluar Luftën e Dytë Botërore, Zonja Szymborska u punësua si nëpunëse në hekurudhë për t’iu shmangur dëbimit drejt Gjermanisë si punëtore e detyruar. Gjatë kohës së saj të lirë, ajo studionte në universitetet ilegale të fshehta.
Pas luftës, ajo i përfundoi studimet formale në letërsinë polake dhe sociologji në Krakow's Jagiellonian University, por kurrë nuk mori diplomë.
Në vitin 1945, ajo e botoi poezinë e parë, ‘I Am Looking for a Word’ (Po e kërkoj një fjalë), në shtojcën javore të gazetës lokale ‘Dziennik Polski’.
Pas një kohe jo të gjatë, Szymborska u martua me poetin Adam Wlodek. Megjithëse u shkurorëzuan pas disa viteve, të dy mbetën miq të afërt deri në vdekjen e Wlodek-ut në vitin 1986.
Poetja e re shumë shpejt hyri në rrethet letrare të qytetit të pasluftës, që fillimisht pranoi ideologjinë e imponuar sovjetike në art dhe letërsi dhe iu bashkëngjit Partisë Komuniste në vitin 1952.
Dy librat e parë të saj, të botuar në vitin 1952 dhe 1954, qenë thellë të influencuar nga Realizmi Socialist, doktrina zyrtare, sipas së cilës arti duhet t’u shërbejë qëllimeve revolucionare, në kohën kur censorët komunistë ishin të lëkundur.
Por sikurse shumica e shkrimtarëve dhe artistëve polakë, Zonja Szymborska përfundimisht u rrit e zhgënjyer me komunizmin dhe më vonë e braktisi vargun e saj të epokës staliniane. Ajo zyrtarisht u largua nga partia në vitin 1966.
Poezia e mëvonshme e saj shërbeu si hakmarrje kundër dy librave të parë të saj, të cilët më vonë i mohoi. Ajo e paraqiti liderin sovjetik Josef Stalin si dordolec të neveritshëm në poezinë e vitit 1957 ‘Calling Out To Yeti’, dhe vazhdimisht e tallte komunizmin në vargun e saj.
Prej vitit 1953 deri në vitin 1981, ajo punoi si redaktore e poezisë dhe kolumniste për javoren letrare Zycie Literackie (Jeta letrare), ku e shkroi një kolumne të titulluar ‘Lektury Nadobowiazkowe’, apo Leximi i panevojshëm.
Szymborska botoi rreth 20 vëllime me poezi – nga një për çdo katër apo pesë vite – një numër i të cilave janë përkthyer në disa gjuhë të ndryshme. Në mesin e veprave që janë përkthyer në anglisht përfshihen ‘View With a Grain of Sand’, ‘People on a Bridge’ dhe ‘Sounds, Feelings, Thoughts: Seventy Poems’.
Poezia e saj ka qenë gjerësisht e popullarizuar me lexuesit e saj polakë, të cilët e kanë kapur fluturimthi secilin vëllim të ri pas botimit. Këngëtari polak i muzikës rok Kora e ktheu poezinë e saj ‘Nothing Twice’ në një këngë të popullarizuar. Melodia ishte një hit i vitit 1994 në Poloni.
Një tjetër poezi e Zonjës Szymborska, ‘Love At First Sight’, frymëzoi në bërjen e filmit enigmatik ‘Red’ nga regjisori i ndjerë polak Krzysztof Kieslowski.
Pavarësisht nga mosha e saj e shtyrë, vepra e Szymborska-s vazhdoi t’i flasë një publiku të gjerë. Përmbledhja e saj, ‘Dwukropek’, u përzgjodh nga lexuesit e gazetës Gazeta Wyborcza si libri më i mirë i vitit 2006.
Librin e fundit ajo e botoi në vitin 2008.
Sidoqoftë poetja e turpshme egërsisht u kap pas intimitetit të saj dhe jetoi një jetë të qetë në Krakow të saj të dashur, pavarësisht popullaritetit të saj. Ajo pa dëshirë u përball me të qenit në qendër të vëmendjes që e përcolli çmimin Nobel dhe ligjërata përkatëse përballë 1800 njerëzve ishte një barrë e rëndë për një grua që ka thënë se është e patrazuar vetëm kur është në grupe të vogla njerëzish.
Pas shkuarjes në Stockholm për ta marrë çmimin Nobel, gazetarët në aeroport e pyetën atë rreth poezisë së parë që e ka shkruar.
Ajo u përgjigj me modesti dhe humor të njohur për lexuesit.
“Është vështirë të them se për çka ka qenë e para sepse kam filluar shumë herët të shkruaj poezi. Kam qenë rreth 4-vjeçare”, tha ajo. “Natyrisht ato ishin të plogëta dhe qesharake. Por kur një poezi ka qenë në rregull, babai im e merrte dhe me jepte ca para për të blerë çokollata. Kështu që mund të them se fillova të jetoj me poezinë time kur i kisha katër vjet”.
Associated Press
Përktheu: A. Beka