E Hënë, 2 Nëntor 2026

Muaji Ndërkombëtar i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Fëmijëve, Peleshi: Nuk janë vetëm në këtë betejë

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Fëmijëve, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i shoqëruar nga nënkryetarja Klodiana Spahiu, priti në një takim drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT).

Në takim morën pjesë drejtori i QSUNT-së, Florenc Spaho, shefja e Pediatrisë, Donjeta Bali, zëvendësdrejtoresha, Dhurata Hysaj, si dhe mjekë, infermierë e prindër të fëmijëve që përballen me këtë sëmundje të vështirë.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi theksoi se fëmijët dhe familjet e tyre nuk janë vetëm në këtë betejë, duke nënvizuar se politika ka detyrimin të adresojë nevojat e fëmijëve që vuajnë ose kanë mbijetuar nga kanceri pediatrik.

Në shenjë solidariteti, ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë u ndriçua në ngjyrë të artë për 24 orë, duke iu bashkuar fushatës botërore të ndërgjegjësimit. “Fjongoja e Artë”, simboli universal i kësaj nisme, shërben si thirrje për veprim global, për thyerjen e barrierave në kujdesin shëndetësor dhe për të dhënë më shumë mbështetje për pacientët e vegjël dhe familjet e tyre.

Gjatë takimit, u trajtuan problematikat dhe sfidat e shërbimit onkologjik pediatrik, ecuria e tij dhe lehtësitë që mund të ofrohen për përmirësimin e trajtimit.

Në përfundim, stafi i QSUT-së, në bashkëpunim me shërbimet e Kuvendit, shpërndau për deputetët spilat me “Fjongot e Arta” dhe broshura informuese. /j.p/

1 nga 8

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›