Muçi: 31 Maji nuk e kthen në normalitet dinamikën

I ftuar në studion e emisionit “3 D nga Alban Dudushi” në RTSH, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, deklaroi se protestat qytetare po ndikojnë në delegjitimimin e qeverisë dhe se ato do ta bëjnë gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e mandatit të kryeministrit Edi Rama.
Muçi u shpreh se nuk e shqetëson një rënie e përkohshme e pjesëmarrjes në protesta gjatë muajve të verës, duke theksuar se dinamika pritet të rikthehet me intensitet në shtator dhe tetor.
Sipas deputetit të Lëvizjes Bashkë, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar klimën politike në vend dhe pritet të ndikojnë në vijimin e mobilizimit qytetar në muajt në vazhdim.
“Kam bindjen që çdo ditë që protestuesit dalin në shesh aq më shumë e deligjitimojmë pushtetin e Edi Ramës dhe aq më të pamundur e bëjmë vazhdimin e tij në krye të shtetit shqiptar. Kemi përpara korrikun, gushtin kështu që edhe sikur numrat të bien sikur dhe protesta në vetvete të ketë një ndërprerje po them një mujore nuk më shqetëson aspak sepse shtatori, tetori janë para jam i bindur se kjo që ka ndodhur, ngjarje e 31 majit është një ngjarje e cila nuk mund ta kthejë më pas në normalitet dinamikën”, u shpreh Muçi.
/rtsh.al/