E Diel, 1 Nëntor 2026

Muçi: Të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024 për Zonat e Mbrojtura

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, kërkoi sot në seancën plenare shfuqizimin e amendamenteve të miratuara në vitin 2024 për ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”, duke iu referuar edhe deklaratave të Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos.

Sipas Muçit, Komisionerja Kos, gjatë takimit të zhvilluar dy ditë më parë, është shprehur se “edhe para protestave kemi rënë dakord që të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024 për Zonat e Mbrojtura dhe Investimet Strategjike”, në funksion të përmbushjes së kërkesave të Kapitullit 27 të negociatave me Bashkimin Evropian.

Deputeti tha se, nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka asnjë ligj për t’u shfuqizuar, duke theksuar se ligji për Zonat e Mbrojtura është ndër ligjet më të mira që ka Shqipëria dhe se ai do të përshtatet plotësisht me legjislacionin evropian.

Muçi argumentoi se bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme, pasi, sipas tij, Komisionerja Kos i është referuar amendamenteve të miratuara në vitin 2024 dhe jo ligjit bazë për Zonat e Mbrojtura, i cili është miratuar në vitin 2017.

“Dua të di pse kryeministri nuk i anulon amendamentet e vitit 2024 dhe pse nuk e sjell kërkesën për shqyrtim në seancën e ardhshme plenare. Kërkesën për shfuqizimin e këtyre amendamenteve e kam depozituar unë, si edhe deputetë të tjerë të opozitës. Nëse nuk ka kohë gjatë korrikut, pse nuk shtyhet kjo çështje për në seancën e parë në shtator?”, u shpreh Muçi.

Ai shtoi se përgjigje për këtë çështje presin protestuesit, të cilët, kanë protestuar prej 47 ditësh, si edhe Komisionerja për Zgjerimin, duke pyetur pse kërkesa për shfuqizimin e amendamenteve, e depozituar që në dhjetor të vitit të kaluar, nuk është shqyrtuar deri më tani.

“Sot, pas 47 ditësh protesta, që detyruan Komisioneren ta përmendte këtë çështje, ju bëni sikur nuk e dëgjoni”, deklaroi Muçi.

/gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›