Mugabe-rivalëve: Pranoni humbjen ose vetëvrituni!
Presidenti i Zimbabves, Robert Mugabe, ka lëshuar një deklaratë bombë gjatë së hënës, duke i thënë Perëndimit dhe kundërshtarëve politikë të tij se mund të vetëvriten, nëse nuk pranojnë rizgjedhjen e tij në këtë post.
Ata që nuk mund ta bluajnë dot humbjen, mund të vetëvriten. As qentë nuk nuhasin kufomat e tyre, tha lideri 89-vjeçar, teksa drejtonte një ngjarje, për përkujtimin e veteranëve të luftës së Zimbabves për Pavarësi.
Kjo ishte deklarata e tij e parë publike, që kur Komisioni Elektoral i Zimbabves e deklaroi atë fitues të zgjedhjeve të 31 korrikut, me 61% të votave, ku mposhti kryeministrin Morgan Tsvangirai.
Lëvizja për Ndryshim Demokratik e Tsvangirai-t, sfidoi rezultatin e zgjedhjeve javën e kaluar, duke akuzuar KEZ se kishte manipuluar votat në favor të ZANU-PF, e kryesuar nga Mugabe.
Ne nuk do të tërhiqemi nga fitorja jonë. Nuk e dimë se kush po tërhiqet, tha Mugabe. Ndaj Perëndimit u drejtua: ne po ofrojmë demokracinë në pjatë. Doni ta merrni?, pyeti lideri më i vjetër afrikan. Ne mund të themi vetëm merreni, ose lereni. Nuk do të tërhiqemi kurrë nga fitorja jonë.
Në disa nga pankartat e të pranishmëve në këtë event lexohej: Mjaft, pranojeni humbjen!; Obama, Zimbabve nuk do të jetë si Kili; Falemnderit Zimbabve, që mbron sovranitetin tonë!; Zimbabve nuk do të jetë sërish koloni!.