E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mukajt, tregtarët e krishterë të Gjirokastrës

"Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli ishte një ndër miqtë e Cile Mukës, dhe e frekuentonte shpesh rostiçerinë dhe njëherë në një shkrim të botuar në gazetën "Zëri i Popullit", shkroi: "Cile Mukën e kam pranë/ dhe pallatin përkarshi" për Pallatin e Kulturës, i cili shumicën e herëve ishte i zbrazur, ndërsa lokali i Ciles gjithmonë plot.

Në kohën kur Enver Hoxha ishte student vinte shpesh dhe Cilja thoshte: "Ky djalë do bëhet dikush, sepse ka aftësinë t'iu imponohet miqve dhe bashkëbiseduesve"

GJIROKASTËR- Krijimi gradual i qytetit të Gjirokastrës fill pas daljes së banorëve nga kalaja dhe ngritja e lagjeve të para erdhi fillimisht në bazë të fesë. Edhe pse besimet fetare asnjëherë nuk kanë qenë problem në marrëdhëniet ndërmjet tyre, edhe pas disa shekujsh "Pazari i vjetër" dhe "Varoshi" njihen si lagjet ku qëndronin e vazhdojnë të qëndrojnë familjet e krishtera, ndërsa në "Palorto", "Pllakë" "Manalat", "Dunavat" ishin të vendosura familjet myslimane.

E nëse dyert e mëdha gjirokastrite, që i përkisnin besimit mysliman kishin prona të konsiderueshme, ato të krishtera e kishin ngritur bazën e ekonomisë kryesisht mbi tregtinë. Familja Muka është një nga tipiket tregtare, ku puna dhe aktiviteti tregtar e shndërrojnë varfërinë në mirëqenie.

Familja Muka

Me sa tregojne të dhënat e mbërritura deri tani, janë 7 breza të familjes Muka, qysh prej vendosjes së tyre në Gjirokastër, më shumë se 300 vjet më parë. Janë dy hipoteza në lidhje me origjinën e largët të saj: e para lidhet me krahinën e Sulit në Greqi dhe e dyta me zonën e Voshtinës, dikur pjesë e territorit shqiptar, tashmë e atij grek.

Vëllezërit Panajot e Vasil Muka rrëfejnë historinë e familjes, qysh prej daljes nga kalaja dhe vendosjen në lagjen më të vjetër të qytetit të Gjirokastrës "Pazar i Vjetër", ku vazhdojnë të jetojnë edhe sot.

"Me aq sa dimë, në bazë të atyre që të parët na kanë treguar, por edhe dokumentacionit që disponojmë, i pari i familjes ka qenë Stavro Muka, i cili rreth viteve 1700, pas daljes nga kalaja, ndërtoi edhe shtëpinë e parë, në lagjen e parë të qytetit, "Pazar i Vjetër". Stavro kishte vetëm një fëmijë, një djalë, Petron, i cili në rininë e tij emigroi në Turqi, ndërsa në Shqipëri kishte lënë gruan shtatzanë dhe humbi të gjitha lidhjet.

Vasil Muka apo siç e njohin gjirokastritët Cile Muka, ishte djali që lindi nga kjo martesë, e që në moshën 15- vjçare vendosi të kërkonte e të gjente babanë e vet, të cilin nuk e njihte. Duke qenë se nuk ishin në gjendje të mirë ekonomike, pasi nëna e kishte rritur duke bërë punime dore, emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për 5 vjet me radhë bënte të gjitha llojet e punëve.

Më tej kthehet në Shqipëri dhe rreth moshës 22-vjçare shkon në Turqi, gjen babanë dhe kthehen së bashku në Gjirokastër. Vasil Muka kishte gjashtë fëmijë, tri vajza dhe tri djem, Nakon, Jorgaqin dhe Stavron, i cili u vra kur ishte fëmijë nga një vetëtimë. Nga kjo fatkeqësi e rëndë familjare, shtëpia Muka ishte e vetmja në qytet, e cila kishte mbi çatinë e saj një rrufepritëse. Djali i madh i Cile Mukës, babai ynë, ka 3 fëmijë, Dianën, Panajotin dhe Vasilin. Qysh prej Stavro Mukës e deri te më të rinjtë e familjes janë 7 breza", rrëfen historinë Panajot Muka.

"Por jo vetëm një familje tregtare; ishte një familje mjaft e lidhur me aktivitetin patriotik të kohës. Për të mundësuar vajtjen në Vlorë, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, të delegatëve të Gjirokastrës ka dhënë kontributin e vet financiar, pas ngritjes së shoqatës "Ergjëria", që u krijua pas Kongresit të Gjirokastrës, familja Muka ishte anëtare dhe kontribuese e saj; si mjaft familje të tjera gjirokastrite dha ndihmesën e vet financiare për çeljen e shkollës së parë shqipe në Gjirokastër "Liria", ndërsa mësuesit jabanxhinj ishin shpesh mysafirë të familjes sonë.

Ishim ndër të vetmet familje të krishtera në Gjirokastër që vazhdonim të ruanim paganizmin e festës së karnavaleve, të cilat i kremtonim gjithmonë si dhe ditët e emrave, apo edhe shkëmbimin e dhuratave me rastin e Krishtlindjeve", - tregon Vasil Muka, njëri prej trashëgimtarëve të familjes, pedagog në universitetin "Eqrem Çabej", anëtar i Këshillit Bashkiak e njëkohësisht pjesë e shoqërisë civile të qytetit të Gjirokastrës.

Aktiviteti tregtar

"Në vitin 1930, eksperienca e fituar gjatë emigrimit në Amerikë bën që Cile Muka të hapte rostiçerinë e parë në Gjirokastër me emrin "Bella Venezia", fillimisht te "Sheshi i Çerçizit", aty ku tashmë është hotel- turizmi dhe më tej e zhvendos pranë Bashtesë së Teqesë, te Kubeja.

Duke qenë se ishte i vetmi lokal i këtij lloji në qytet, ishte mjaft i frekuentuar, kryesisht nga shtresat e pasura, bejlerë, agallarë e më tej në vitet e pushtimit italian nga komandantët e divizioneve, ndërsa pas çlirimit nga kryetarët e degëve, të komiteteve të partive apo atyre ekzekutivë.

Madje, ndërsa të gjitha subjektet private në Gjirokastër u mbyllën dhe u shtetëzuan rreth vitit 1964, rostiçeria e Cile Mukës qëndroi e hapur deri në vitin 1968, pikërisht për faktin se ishte mjaft e pëlqyer nga drejtuesit e asaj kohe",- tregon më tej Vasil Muka.

"Por rostiçeria e Cile Mukës, mjaft e njohur jo vetëm për gjirokastritët, por edhe për të gjithë shoferët që vinin nga të gjitha anët e vendit, si dhe për udhëtarët, nuk ishte vetëm vendi ku mund të hanin apo të pinin verë. Ishte vendi ku mund të merrje informacionin më të saktë e më të plotë për të gjitha ngjarjet që ndodhnin jo vetëm në krahinë, por në të gjithë vendin. Nëse doje të mësoje diçka, duhej të shkoje te lokali i Cile Mukës, atje do ta merrje vesh.

Nëse doje të takoje një njeri të ngritur të kohës, duhej të shkoje te lokali i Cile Mukës, atje sigurisht do ta takoje. Verën që shërbehej në lokal në fillim e sillnin nga Italia, e më tej e merrnin në Artë në Greqi. Me fuqizimin e ekonomisë familjare, në pronat e familjes u shtua edhe një godinë dykatëshe nën Obeliskun e Arsimit, që shërbente kryesisht si depo për grumbullimin e sendeve ushqimore.

Më tej, çelet një punishte për përpunimin e qumështit; makineria që përdorej për skremimin e tij kishte ardhur nga Italia, ndërsa në kantinë, përvç verës dhe rakisë, prodhohej edhe uthull, mjaft e famshme.

Madje edhe sot, vazhdon të përdoret shprehja "Nëse ke inat, pi uthull nga e Cile Mukës". Gjithashtu, edhe qoftet që bënte ishin mjaft të famshme; përdorte një formulë, që u jepte një shije të vçantë e të cilën fatkeqësisht ne brezat pasardhës nuk e kemi", vijon rrëfimin për familjen Muka, Panajot Muka.

Vasil (Cile) Muka

Nipërit e tregojnë si një njeri të jashtëzakonshëm, që mundi të ngrihej mbi varfërinë e madje të fitonte edhe një pozicion të sigurt në Gjirokastër, që e ndihmoi për zgjidhjen e një sërë problemesh familjare gjatë viteve. "Të gjitha historitë e vjetra që dinte për çetat e luftëtarëve, komitëve apo hajdutëve i tregonte me këngë. "Pi birrë të rrosh 100 vjç, pi verë të mos vdesësh kurrë". Kjo ishte motoja e Cile Mukës.

Kishte dhuntinë të ruante marrëdhënie shumë të mira me të gjithë, që nga paria e qytetit e deri me njerëzit më të thjeshtë. Në shtëpinë tonë kishim gjithmonë mysafirë, njerëz të ngritur të kohërave, por Cile Muka nuk e kursente ndihmën as për nevojtarët. Thuajse të gjitha familjet e varfra të lagjes në njëfarë mënyre ishin të punësuara në rostiçeri.

Në kohën e luftës italo- greke kemi mbajtur në shtëpi një djalë grek jetim, Spiron. Edhe sot e kësaj dite dhomën ku ai qëndronte, vazhdojmë ta quajmë "pati i Spiros". Fakti që nuk ishte shumë i dhënë pas fesë e bënte edhe më mik me myslimanët",- tregon Vasil Muka.

Miqësitë

"Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli ishte një ndër miqtë e Cile Mukës, dhe e frekuentonte shpesh rostiçerinë dhe njëherë në një shkrim të botuar në gazetën "Zëri i Popullit", shkroi: "Cile Mukën e kam pranë/ dhe pallatin përkarshi" për Pallatin e Kulturës, i cili shumicën e herëve ishte i zbrazur, ndërsa lokali i Ciles gjithmonë plot. Në kohën kur Enver Hoxha ishte student vinte shpesh dhe Cilja thoshte: "Ky djalë do bëhet dikush, sepse ka aftësinë t'u imponohet miqve dhe bashkëbiseduesve".

Madje, familja jonë ka shpëtuar nga persekutimi në kohën e diktaturës pikërisht falë gjyshit. Mamaja jonë është nga dera e Papavangjelajve, që pas çlirimit u shpallën "armiq të popullit" dhe vetëm falë lidhjeve të Cile Mukës nuk pësuam gjë.

Dinte katër gjuhë të huaja: anglisht, italisht, greqisht dhe turqisht. Në periudhën e diktaturës, i mbyllur në dhomën e tij dëgjonte radiot italiane, Zërin e Amerikës dhe pas prishjes me Rusinë edhe Radio Moskën dhe dëgjonte se çfarë ndodhte në botë",- rrëfen më tej Panajot Muka.

Arsimi

Një pjesë e mirë e investimit të familjes Muka ka shkuar pikërisht për arsimin. "Papa Foti (prifti) ishte njeriu më i mësuar i Gjirokastrës dhe atje shkonin fëmijët që mësonin.

Nëse rrugën e gjyshit në tregti e vazhdoi xhaxhai Jorgo, babai Nako Muka vazhdoi studimet për ekonomi. Ishte drejtori i parë i SESTA-s, ndërmarrjes italiane që solli energjinë elektrike në qytet e vazhdoi edhe pas çlirimit në disa institucione shtetërore si financier. Të gjithë ne fëmijët e tij, nipërit e mbesat janë të diplomuar, kryesisht në dy fusha, arsim dhe ekonomi, por ka edhe nga ata trashëgimtarë që kanë ruajtur shpirtin tregtar",- vazhdon më tej rrëfimin e tij Vasil Muka.

Krushqitë

Deri rreth viteve 1960, të gjitha lidhjet e krushqisë së familjes Muka ishin vetëm me familje të krishtera e mjaft të njohura si Papavangjeli (ndër industrialistët e parë në Shqipëri), Vardhamaj, Kekezi, Bakallaj, Xhillaraj, Mosko, Kabilatë etj, ndërsa pas viteve '60 filluan lidhjet e krushqisë edhe me familjet myslimane.

Lagjja "Pazar i Vjetër"

Është lagjja më e vjetër e qytetit të Gjirokastrës, e krijuar pikërisht nën kala. Pumo, Sino, Muka, Shapllo, Karalliu, Kallajxhiu, Maliko, Mezini etj janë ndër familjet më të vjetra të saj, ndërkohë që një ndër vçantitë ishte përdorimi i gurit të zi në ndërtimin e shtëpive, ndryshe nga lagjet e tjera të qytetit. Aty ndodhet edhe mitropolia. "Shtëpia jonë ka një pozicion, ndërmjet kalasë dhe mitropolisë. Ka një pozicion nga i cili duket gjithë qyteti dhe lugina.

Është 3- katëshe, me një portë të madhe. Avllia (oborri) dhe shkalla e madhe e jashtme janë të shtruar me gurë të zinj. Në katin përdhes të shtëpisë ndodheshin dhomat ku mbaheshin zahiretë, qilaret e verës dhe furra. Në dy katet e tjera janë odat dhe dhomat e gjumit.

Ndërsa në lagje kemi ruajtur gjithmonë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha familjet, si të krishtera ashtu edhe myslimane. Në fëmijërinë tonë oborri i kishës ka qenë strumbullari që na mblidhte të gjithëve pa asnjë dallim",- shprehet Vasil Muka.

Thuajse në të gjitha familjet gjirokastrite gjen elementë mjaft të vçantë të mënyrës së jetesës, emra të famshëm të të gjitha fushave, njerëz që kanë bërë histori. Kjo pasi vetë historia e Gjirokastrës është shumë e pasur me data, njerëz, mistere e legjenda.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›