“Mund të bojkotojmë protestat!” gazetari reagon pas përplasjes me protestuesen: Na ofendoi dhe pastaj ndezi kamerën, por e vërteta është kjo!

Esido Barkaj ka reaguar pas një publikimit të një videoje ku shfaqet duket debatuar me një protestuese gjatë protestave në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, gazetari pretendon se pamjet tregojnë vetëm një pjesë të ngjarjes dhe se gjithçka nisi pas vajza ofendoi një nga koleget e tij dhe mandej, atë vetë.
Sipas Barkajt, shkak për përplasjen u bë fakti që ai dhe kolegia e tij po bisedonin me efektivë të Policisë së Shtetit. Ai denoncon gjithashtu sulmet dhe fyerjet ndaj gazetarëve gjatë protestave duke përmendur dhe raste të kolegëve nga Top Channel, Report TV dhe Klan Neës.
Barkaj parlajmëron se nëse sulmet do të vazhdojnë pa asnjë reagim, duhet të diskutohet edhe mundësia e një bojkoti të përbashkët të raportimit të protestave nga mediat. Në facebook-un e vet, ai shkruante:
“KJO VIDEO TREGON VETËM GJYSMËN E SË VËRTETËS. PJESA TJETËR ËSHTË AJO QË NUK DUAN TA SHOHË ASKUSH.
Përpara se të dalësh pas kamerës së telefonit për të luajtur viktimën, duhet të tregosh edhe atë që ndodhi përpara se të ndizje atë. Sepse e vërteta nuk mund të pritet sipas interesit dhe asnjë situatë nuk mund të manipulohet për të fituar simpatinë e ndjekësve.
Kjo vajzë nuk tregon se si iu drejtua gazetarëve me një fjalor banal, me fyerje të rënda dhe shprehje të denja për rrugën. Nuk tregon se si ofendoi kolegen time, Sara A Demushi, dhe më pas edhe mua pasi mbrojta kolegen. Sulmi erdhi vetëm sepse po bisedonim me efektivët e Policisë së Shtetit.
Ne nuk e kemi detyrë të marrim leje nga protestuesit për të bërë gazetari, për të folur apo qeshur me efektivë të policisë. As nuk do të pranojmë që dikush të na diktojë se me kë duhet të flasim, çfarë duhet të raportojmë dhe si duhet ta kryejmë punën tonë brenda çdo standardi gazetaresk.
Është e papranueshme që dikush të shajë, të provokojë, të sulmojë dhe më pas të ndezë kamerën për të ndërtuar një version të vetin të ngjarjes, duke e paraqitur veten si viktimë.
Gjatë këtyre ditëve protestash, unë dhe kolegët e mi jemi përballur me goditje, fyerje, poshtërim dhe sulme. Dua ta bëj të qartë: nuk i fus të gjithë protestuesit në të njëjtin thes. Ka njerëz që protestojnë me dinjitet dhe që meritojnë të dëgjohen. Por ka edhe nga ata që, nën petkun e protestës, mendojnë se mund të shkelin çdo kufi, të fyejnë këdo dhe të sulmojnë këdo që nuk u pëlqen.
Këtu duhet vendosur vija e kuqe.
E drejta për të protestuar nuk është e drejtë për të dhunuar. Zemërimi nuk është justifikim për fyerjen. Dhe protesta nuk mund të shndërrohet në një hapësirë ku gazetarët të trajtohen si shënjestër.
Duhet në fakt që çdo rast i dokumentuar i kërcënimit, fyerjes apo sulmit ndaj gazetarëve të bëhet publik, të denoncohet dhe t’u përcillet organeve kompetente për ndjekje ligjore.
Dhe nëse sulmet ndaj gazetarëve vazhdojnë pa reagim e pa përgjegjësi, atëherë duhet diskutuar seriozisht edhe për qëndrimin e mediave në raportimin e protestës, përfshirë mundësinë e një bojkoti të koordinuar. Nuk mund të kërkohet që gazetarët të jenë të pranishëm për të dokumentuar çdo ngjarje, ndërsa vetë ata bëhen objekt sulmesh dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ata që pretendojnë se luftojnë padrejtësinë duhet të jenë të parët që respektojnë të drejtat e të tjerëve.
Rastet nuk mungojnë ku jemi sulmuar në shumë forma. Kolegët e Top Channel Dorjana Bezat janë goditur. Gazetarët e Report TV Sokol Dema dhe Klan Neës Besar Bajraktaraj i kanë gjuajtur me gurë. Kolegët e tjerë janë sharë dhe sulmuar në forma të ndryshme. Këto janë raste që kërkojnë vëmendje, dokumentim dhe reagim, jo heshtje e indiferencë.
Mikrofoni nuk është armë kundër protestuesve. Kamera nuk është provokim. Ne jemi aty për të dokumentuar atë që ndodh, për të informuar publikun dhe për të bërë punën tonë. Kushdo që nuk pajtohet me raportimin tonë ka të drejtë të kundërshtojë, të reagojë dhe të kërkojë përgjegjësi. Por nuk ka të drejtë të na kërcënojë, të na shajë apo të na godasë.
Dhe le të kuptohemi mirë: ne nuk do të heshtim për të shmangur zemërimin e askujt. Nuk do të ulim mikrofonin për t’i bërë qejfin askujt. Dhe nuk do të pranojmë që frikësimi të bëhet mënyrë për të kontrolluar median.
KY STATUS NUK ËSHTË LUFTË KUNDËR PROTESTËS. ËSHTË KUNDËR DHUNËS, GODITJES, SHARJEVE DHE ARROGANCËS SË ATYRE QË MENDOJNË SE MUND TË SULMOJNË GAZETARËT DHE MË PAS TË FSHIHEN PAS NJË VIDEOJE TË SAJUAR SIÇ DUAN ATA”.