Plagoset me armë zjarri 22-vjeçari në Tiranë, kërkoi borxhin

Një 22-vjeçar është plagosur me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në rrugën “Medar Shtylla” në Tiranë. Autori i dyshuar, 28-vjeçari Sokol Zeka, i njohur edhe si Troka, është shpallur në kërkim nga policia.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, ndërsa i plagosuri, Elvis Zirka, është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, konflikti mes Zirës dhe Zekës dyshohet se ka nisur për shkak të një borxhi të pashlyer. Gjatë dëshmisë së tij para grupit hetimor, 22-vjeçari ka deklaruar se njihej prej kohësh me autorin e dyshuar dhe se i kishte dhënë një shumë parash borxh.
Ai nuk ka bërë të ditur vlerën e shumës apo arsyen për të cilën ia kishte dhënë paratë. Hetuesit dyshojnë se konflikti mes dy personave mund të ketë nisur jashtë territorit shqiptar.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e Sokol Zekës, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe motivet e plagosjes.a.b