Mund të fitojmë

Kombëtarja shqiptare po vazhdon të përgatitet për ndeshjen e saj të radhës kualifikuese për ‘Euro 2012’ ndaj Bjellorusisë. Kuqezinjtë e vlerësojnë shumë të rëndësishme këtë sfidë të tyre ndaj bjellorusëve, e cila zhvillohet të shtunën mbrëma në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Njëri prej futbollistëve kryesorë të ekipit kombëtar, Lorik Cana beson se ai me shokët e tij kanë kapacitet për ta mposhtur përfaqësuesen e Bjellorusisë, por jo me ndonjë rezultat të thellë. “Nuk presim të shohim ndeshjen me rezultat 3:0, por presim që të luajmë me zemër”, ka thënë Cana.
Mbrojtësi i Galatasarayt konsideron se Bjellorusia është rivale e drejtpërdrejtë e Shqipërisë në luftën e tyre për t’i përmbyllur këto eliminatore në një pozitë sa më të mirë në tabelën e Grupit D.
Andaj, Cana thotë se ekipi i tij duhet ta shfrytëzojë maksimalisht përparësinë e terrenit dhe përkrahjen e tifozëve për t’i fituar tri pikë të reja nga kjo përballje.
“Sigurisht që kemi ambicie për ta fituar ndeshjen. Në fushë do të hyjmë për ta fituar këtë takim, sepse më pas, me pesë lojë - tetë pikë, mund të jemi në një situatë të favorshme”, ka shtuar ai.
Cana thotë se ekipi i tij duhet ta japë maksimumin në këtë ndeshje dhe mos të pësojë humbje, e cila do t’ia vështirësonte shumë punët selektorit Josip Kuze për t’i arritur objektivat. “Nëse humbim, do të jetë shumë e vështirë për të pasur një edicion të mirë”, ka pohuar ai.
Ndërsa edhe sulmuesi Erjon Bogdani vlerëson se Kombëtarja shqiptare i ka të gjitha mundësitë për t’i fituar pikët e plota, ndonëse pranon se përfaqësuesja e Bjellorusisë ka një ekip mjaft të fortë.
“Duhet të jemi në dispozicion të trajnerit për të luajtur sa më mirë, të jemi të mobilizuar për arsye se Bjellorusia është një ekip i fortë që nuk ka pësuar asnjë gol dhe nuk diskutohet që për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme”, ka thënë futbollisti i cesenas.
- “Por, meqenëse ndeshja luhet në Tiranë, edhe duhet ta fitojmë”, ka pohuar Bogdani.
Aktualisht ekipi shqiptar, i cili udhëhiqet nga kroati Josip Kuze, radhitet në vendin e tretë të Grupit D, me 5 pikë të tubuara, tri më pak se Bjellorusia, e cila ndjek kryesuesin, Francën.