Lippi nuk kthehet në Serie A

Marcello Lippi ka mohuar spekulimet se do të kthehet për të drejtuar Juventusin gjatë verës, duke insistuar se dëshiron të largohet nga Italia. Lippi, i cili kaloi dy aventura si trajner i Juventusit, është përmendur si zëvendësim i mundshëm për të kritikuarin Luigi Delneri.
“Dua të jem trajner edhe për dy ose tre vite tjera”, tha 62 vjeçari Lippi.
“Nëse më ofrohet një projekt i mirë, do ta konsideroj atë, por mund të konfirmoj se nuk do të punoj më në Itali, edhe nëse më thërret Juventus. Jam larguar nga Torino shtatë vite më parë dhe sa herë që ekipi ka probleme përmendet emri im. Kjo më bën të lumtur sepse do të thotë se gjatë kohës time tifozëve u ka pëlqyer puna ime. Është e vërtetë se në të kaluarën kam pasur kontakte rreth rikthimit”, u shpreh ai.
Gjatë kohës së tij në drejtim të Juventusit, Lippi fitoi pesë tituj në Serie A, një Copa Italia, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Evropës. Lippi, i cili udhëhoqi Italinë drejt triumfit në Kampionatin botëror 2006, është pa angazhim prej kur Azzurrët u eliminuan nga faza e grupeve e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut.