E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mund të lundrojë 20 vjet pa karburant, aeroplanmbajtësja më moderne amerikane ankorohet në portin kroat të Splitit

Aeroplanmbajtësja më e re dhe më moderne e marinës amerikane, Gerald R. Ford, është duke e vizituar Kroacinë me një ekip prej 4.600 marinarëve.

Ajo është ankoruar në portin e Splitit dhe është anija e tretë e marinës amerikane që viziton Splitin në 18 muajt e fundit. “Prezenca ynë këtu tregon vendosmërinë dhe përkushtimin tonë për të përparuar drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.

E mirëpresim këtë mundësi që ekipet tona të shijojnë shtetin e bukur dhe ta përjetojnë kulturën kroate, por edhe të ndërtojnë marrëdhënie të fuqishme në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kroacisë, bazuar në vlerat e përbashkëta”, tha admirali Erik J. Eslich, komandanti i grupit luftarak të aeroplanmbajtëses.

Aeroplanmbajtësja është 332 metra e gjatë, 40 metra e gjerë, ndërsa pjesa e pistës është 78 metra e gjerë. Ajo mund të lundrojë 20 vjet pa karburant, është e paisur me dy reaktorë bërthamorë dhe ndërtimi i saj ka kushtuar 12.8 miliardë dollarë.

Ajo mban emrin presidentit të 38-të të Shteteve të Bashkuara, Gerald R. Ford, i cili ka shërbyer në periudhën 1974 – 1977.

Nuk dihet sa gjatë do të qëndrojë anija në ujërat e Krocisë, por aty pritet të kryejnë vizita zyrtarë të ushtrisë kroate dhe zyrtarë tjerë civilë.

Përveç anijeve amerikane, portet kroate janë vizituar së fundi edhe nga anije të shteteve tjera partnere të NAT0-s, përfshirë ato të Britanisë, Francës dhe Spanjës.

Gazetar Artur Mata

/RTSH/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›