Mundja shqiptare, përsëri e artë në Bullgari

Mundja shqiptare ka marrë një tjetër medalje të artë në turneun “Dan Kolov” në Bullgari, teksa i artë në peshën 65 kilogram në stilin e lirë ishte Islam Dudaev. Dudaev ka mundur fillimisht rusin Antonov. Më pas amerikanin Lugo për të vazhduar në raundin gjysmëfinal me moldavin Buniki dhe në finale me indianin Anuj.
Katër fitore dhe medalja e dytë edhe për Dudaev, teksa më parë në një tjetër aktivitet ndërkombëtar në Rusi ishte i bronztë. Dy medaljet e arta në turneun “Dan Kolov” nga Abakarov dhe Dudaev janë një shpresë e mirë se të tillë do të jenë edhe në Kampionatin Europian, që zhvillohet në mars në Hungari. Kuptohet për të kthyer kohët e arta të sportit të tapetit në vend.