Mungesa e fuqisë punëtore, Britania pritet të lehtësojë rregullat e emigracionit

Britania do të lehtësojë rregullat e emigracionit, për të plotësuar boshllëkun e krijuar, lidhur me mungesën e fuqisë punëtore. Nisma synon edhe rritjen e biznesit.
Kryeministrja Truss pritet të zgjerojë listën e profesioneve, në mënyrë që të ndihmojë bizneset të plotësojnë vendet vakante, duke rekrutuar në mënyrë me të lehtë punëtorë jashtë Britanisë.
Truss është përballur me kërkesat e industrisë për më shumë punëtorë emigrantë, që t’u jepen viza pune për të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar. Mungesa e fuqisë punëtore është një nga shqetësimet kryesore të shprehura nga punëdhënësit në disa sektorë.
Kryeministrja po planifikon të liberalizojë rrugët për të lejuar punëtorët e huaj të vijnë në Angli, sikurse u raportua edhe nga “The Sun”. Gjatë fushatës Truss premtoi të trajtojë mungesat e fuqisë punëtore në bujqësi, mungesa këto të shkaktuara pjesërisht nga kufizimet e lirisë së lëvizjes pas “Brexit”, si dhe pandemia.
“Programi i punëtorëve sezonalë”, i nisur për herë të parë në 2019, lejon përkohësisht 40,000 punëtorë nga jashtë Mbretërisë së Bashkuar, që të punojnë në bujqësi, si dhe në rritjen e shpendëve. The independent
/rtsh.al/