Mungesa e mjekëve në Leskovik, banorët udhëtojnë drejt Ersekës dhe Korçës për të marrë shërbim

3000 banorë të njësisë administrative Leskovik në bashkinë e Kolonjës vuajnë mungesën e mjekëve. Momentalisht qendra shëndetësore e qytetit të Leskovikut ka vetëm një mjeke dhe ajo është pensioniste. Në kushte të tilla, banorët janë të detyruar të udhëtojnë drejt spitalit të Ersekës dhe në të shumtën e rasteve drejt spitalit rajonal të Korçës për të kërkuar ndihmën mjekësore.
“Nuk kam asnjë mjek tjetër, jo specialist sepse këtu nuk është spital, këtu ështëv pavijoni i spitalit të Ersekës, një pavijon urgjence i thjeshtë që shërben me dy turne, turni u dytë dhe turni i tretë. Merr rekomandimin dhe shkon tek mjeku specialist në Korçë”, tha mjekja Hyrije Hida.
Banorët e njësisë administrative Leskovik tregojnë se dikur shërbimi spitalor në këtë qytet ka qenë i plotësuar ndërsa tani janë të detyruar të udhëtojnë për më tepër se dy orë për të marrë ndihmë mjekësore. Mungesë mjekësh ka dhe në spitalin e Ersekës, kryesisht të mjekëve specialistë.
Gazetare: E. Dyrmishi
/RTSH/