Kaos trafiku në qendër të Prishtinës

Komunikacioni ne qendër të Prishtinës tani e disa ditë është ne kaos. Tollovia në komunikacion është prezente nga mëngjesi deri në mbrëmje. E tërë kjo situatë është duke ndodhur nga mungesa e një semafori, i cili është “eliminuar” ditë ma parë.
Ky semafor është hequr si pasojë e një aksidenti të ndodhur një javë më parë. Mungesa e tij po ju shkakton telashe dhe hamendje vozitësve të kryeqytetit. Aq më tepër, kur ky është udhëkryqi kryesor i qytetit dhe është i ngarkuar çdo ditë nga lëvizjet e shumta të makinave dhe qytetarëve.
Sipas, zëdhënësit të Komunës së Prishtinës, ky semafor do të vendoset mirëpo janë disa çështje procedurale për vlerësim dëmi nga ana e policisë, para se kompania kontraktuese të vendos semaforin e ri në këtë pjesë.
“Semafori do të vendoset shumë shpejt, gjendja nuk është edhe aq e keqe në udhëkryq sepse vozitësit po sinkronizohen me semaforin përballë”, tha Asdren Osaj për Indeksonline.
Ndërkohë, qytetarët po ankohen për vështirësi trafiku në këtë udhëkryq, si dhe shprehin habi se si komuna qe një javë nuk po vendos një semafor të ri.
“Çdo ditë kaloj në këtë pjesë dhe mungesa e semaforit po na sjell shumë vështirësi, orientohem disi me semaforin përballë, por zakonisht nuk e dij kur të ndalem”, tha njëri prej vozitësve./A.F/Indeksonline/