E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mural me ngjyra dhe mesazhe, vepra e re e Nermin Shurdhës ndërthur librat me dashurinë për kafshët

Në një nga sallat e Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër, një vepër artistike tërheq menjëherë vëmendjen. Ngjyrat e ndezura, librat e autorëve shqiptarë dhe një mace e bardhë në gjumë, janë elementët që e bëjnë këtë mural të veçantë.

Artistja shkodrane është e njohur për muralet e saj që sjellin jetë dhe mesazhe në mure publike. Këtë herë, ajo ka zgjedhur të sjellë dashurinë për librin dhe kafshët në një ambient ku fëmijët e Klubit të Librit zhvillojnë takimet e tyre të rregullta.

“Zgjodha të bëj dy gjëra që për mua janë qetësuese, librat dhe macja që fle sepse krijon idenë e qetësisë. Dhe për fëmijët që vijnë këtu të dinë që janë në një institucion”, tha artistja.

Në shtëpinë e artistes së muraleve jetojnë plot 11 mace, që janë jo vetëm frymëzim, por edhe pjesë e përditshmërisë së saj.

Përmes këtij punimi, artistja jo vetëm promovon përrallat e autorëve shqiptarë, por përcjell edhe mesazhin e ndjeshmërisë dhe dashurisë për kafshët.

“Ideja ishte të vendosej vetëm tituj dhe autorë të përrallave shqiptare. Një mace në shtëpi e krijon ambientin më familjar“, tha ajo.

Muri i këtij mjedisi të Bibliotekës nuk është më thjesht një sipërfaqe betoni pasi ai është bërë dritare fantazie, ku leximi dhe ëndrrat takohen, falë artistes Nermin Shurdha.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›