E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkodra Elektronike hyn në top 10 këngët e mundshme për fitore në Eurovision

Shqipëria e përfaqësuar nga Shkodra Elektronike ka shënuar një arritje historike në botën e basteve të Eurovisionit, duke bërë një ngjitje të jashtëzakonshme në ranglistat e koeficienteve dhe duke u renditur për herë të parë në top 10 të mundësive për fitore në këtë kompeticion, shkruan “Eurovision fun”. Ky sukses vjen pas një periudhe të qëndrueshme përmirësimi, duke filluar nga një pozicion i ulët më 21 janar, kur Shqipëria ishte e 38-ta. Nga ajo kohë, skuadra ka përjetuar një progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm, duke hyrë në top 10 në mes të marsit.

Një moment kyç në këtë rrugëtim është paraqitja e Shqipërisë në Festivalin e Eurovision SKG në Selanik më 10 mars, ku performanca e Shkodra Elektronike është përshëndetur gjerësisht dhe ka rritur besimin e tregjeve të basteve në mundësinë e një rezultati të mirë. Kënga “Zjerm”, e përfaqësuar nga Shkodra Elektronike, ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ekspertëve të Eurovisionit, duke e renditur Shqipërinë si një pretendent të fuqishëm për edicionin e këtij viti.

Ky sukses ka sjellë një rritje të besimit nga ana e tregjeve të basteve, që tani shohin Shqipërinë jo më si një konkurrent, por si një potencial të vërtetë për pozitat më të larta.

Nëse ky trend i suksesshëm vazhdon dhe rezultati final në Eurovision do të jetë i fortë, Shqipëria ka mundësinë të thyejë rekordin e vitit 2012, kur Rona Nishliu arriti të renditet në vendin e 5-të në finalen e Eurovisionit me këngën “Suus”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›