E Diel, 1 Nëntor 2026

Murtaja Afrikane e Derrave, monitorohen 237 ferma në të gjithë vendin

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve vijon kontrollet në fermat e derrave në të gjithë vendin, në kuadër të masave për parandalimin dhe monitorimin e Murtajës Afrikane të Derrave.

Veterinerët po kryejnë kontrolle të vazhdueshme, me fokus zbulimin e hershëm të çdo rasti të dyshimtë. Sipas AKVM-së, deri tani janë monitoruar 237 ferma.

Në kuadër të masave parandaluese, fermerëve u kërkohet të zbatojnë me rigorozitet planin e biosigurisë dhe ta rishikojnë atë në bashkëpunim me veterinerin.

Gjithashtu, rekomandohet kontrolli dhe kufizimi i hyrjes së vizitorëve në ferma, pastrimi dhe dezinfektimi i rregullt i mjeteve, pajisjeve dhe ambienteve, si dhe trajnimi i personelit për zbatimin korrekt të masave të biosigurisë.

AKVM thekson se çdo ngordhje e pazakontë e derrave apo shenjë e dyshimtë duhet të raportohet menjëherë te veterineri i zonës.

Parandalimi, monitorimi dhe raportimi në kohë janë thelbësore për mbrojtjen e fermave dhe kufizimin e përhapjes së Murtajës Afrikane të Derrave.

1 nga 4

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›