E Hënë, 2 Nëntor 2026

Murtaja e dhenve shfaqet në Devoll, 20 krerë të ngordhur në fshatin Shuec

Shënohen rastet e para me murtajën e dhenve në qarkun e Korçës.

Lajmi është konfirmuar nga prefekti i qarkut, Nertil Jole, i cili tha se është evidentuar një fermë me këtë sëmundje në fshatin Shuec të bashkisë së Devollit.

“Fatmirësisht në qarkun tonë nuk konsiderohemi një vatër e nxehtë, por kemi pasur një ose dy raste të konstatuara në bashkinë e Devollit. Pasojat e saj janë të rënda ekonomikisht për sektorin e blegtorisë, por edhe niveli i ngordhshmërisë është shumë i lartë,” tha prefekti Jole.

Gjatë takimit të kryer për marrjen e masave për menaxhimin e kësaj sëmundje dhe moslejimin e përhapjes së saj, prefekti i ka kërkuar përfaqësuesve të institucioneve që sa më parë të intensifikojnë komunikimin me të gjitha strukturat e vetëqeverisjes vendore për sensibilizimin e komunitetit të fermerëve për të mos lejuar lëvizjen e tufave të bagëtive drejt tregjeve të shitjes të bagëtive të gjalla. Sipas autoriteteve të fushës, rastet e konstatuara janë izoluar tashmë.

“Normalisht që duhet të merren masa në asgjësimin e tyre dhe shpënien e tyre në vendet e përcaktuara. Do të jenë të ndaluara të gjitha tregjet. Nuk do të ketë asnjë treg për shitjen e blegtorisë së imët në qarkun e Korçës dhe kudo është përhapur kjo sëmundje,” deklaroi Vullnet Gjolla, drejtor i Agjencia Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Korçë.

Në qarkun e Korçës aktualisht është vetëm një vatër në Shuec, ndërsa dyshimet e ngritura për vatra të tjera janë shuar pas përgjigjeve negative të analizave.

“Ishin rreth 20 krerë të ngordhur. U morën masat me pushtetin vendor për eliminimin dhe groposjen e tyre. Dërguam mostrat e gjakut në IKV dhe dje morëm njoftimin që kjo fermë është e prekur me murtajën e ruminantëve të vegjël, pra, është vatra e parë pozitive e konstatuar në qarkun tonë,” tha Adriatik Skënderasi nga Shërbimi Veterinar Korçë.

Aktualisht lejohet vetëm lëvizja e kafshëve për në thertore, por vetëm nën mbikëqyrjen e rreptë të shërbimit veterinar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›