Murtaja e ruminantëve, prej muajsh nuk është konstatuar asnjë rast pozitiv në Shkodër

Shërbimi veterinar në Shkodër vijon kontrollet për murtajën tek ruminantët, edhe pse prej muajsh nuk është konstatuar asnjë rast pozitiv. Specialisti i veterinarisë, Mark Preçi, bën të ditur se tregjet dhe thertoret në qarkun e Shkodrës janë në monitorim të vazhdueshëm, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe garantimin e sigurisë së konsumatorëve.
“Ne kemi kryer monitorimin sipas programit dhe mund të themi pa frikë se sot nuk kemi asnjë rast të dyshuar apo rast pozitiv. Por, natyrisht, vazhdon të ketë një vëmendje të shtuar si nga Shërbimi Veterinar, ashtu edhe nga vetë fermerët. Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe të përforcuar, për shkak të faktit se rreziku ekziston”, u shpreh Preçi.
Sipas specialistit, kontrollet përfshijnë verifikimin e lëvizjes së kafshëve, dokumentacionit shëndetësor dhe respektimit të rregullave në tregje e thertore.
“Të gjitha thertoret në qarkun Shkodër monitorohen në mënyrë të rreptë nga Shërbimi Veterinar. Çdo thertore ka veterinerin e kontrollit, i cili kryen kontrollin e kafshëve që nga momenti i mbërritjes në thertore deri në momentin kur vuloset mishi. Prandaj, është e rëndësishme të kuptohet se, pavarësisht temperaturave shumë të larta, në thertore respektohen të gjitha procedurat e therjes së kafshëve dhe të kontrollit veterinar. Kështu që, mishi është shumë i sigurt nëse karkasa e mishit ka vulën e Shërbimit Veterinar”, tha ai.
Autoritetet veterinare u bëjnë thirrje fermerëve dhe tregtarëve të raportojnë çdo shenjë të dyshimtë dhe të respektojnë masat e bio sigurisë. Rasti i fundit në qarkun Shkodër u raportua 3 muaj më parë ku pati edhe asgjësim të dhjetëra krerëve me të imta.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/