E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, masa për nisjen e vitit shkollor në Kukës/Vëmendje e shtuar në shkolla dhe në transportin e nxënësve

Me nisjen e vitit të ri shkollor, strukturat e Policisë së Qarkut Kukës do të jenë të angazhuara për garantimin e sigurisë së nxënësve në dhe pranë institucioneve arsimore.

“Është hartuar një plan masash nga Drejtoria Vendore e Policisë së Kukësit për fillimin e sezonit të ri shkollor, me 16 punonjës policie shtesë, të angazhuar nga Policia Rrugore, Forca e Posaçme “Shqiponja”, Policia e Rendit dhe Policia Bashkiake. Janë marrë të gjitha masat në kryqëzimet e identifikuara si pika të zeza për lëvizjen e mjeteve, trafikun dhe ngarkesën e tij. Gjithashtu, janë marrë masat e nevojshme për garantimin e perimetrit të sigurisë pranë shkollave”, u shpreh shefi i qarkullimit rrugor, Bardhi Ibraliu.

Sipas shefit të Qarkullimit Rrugor, Bardhi Ibraliu plani i masave shtrihet në të gjitha shkollat e qarkut të Kukësit me qëllim parandalimin e problematikave.

“Për shkollat në të gjithë Qarkun e Kukësit, përfshirë Bashkinë Has dhe Bashkinë Tropojë, është hartuar një plan masash, ku janë angazhuar të gjitha strukturat e Policisë, si Policia e Rendit, Forcat “Shqiponja” dhe strukturat e Hetimit të Krimeve”, tha ai.

Në fokus të strukturave të policisë do të jetë edhe transporti publik i nxënësve. Monitorimi do të jetë i shtuar veçanërisht në oraret e hyrjes dhe daljes nga shkolla.

“Dua t’ju theksoj se, për sa i përket transportit të nxënësve, do të merren masa nga Policia Rrugore”, tha Ibraliu.

Masat synojnë që nisja e vitit të ri shkollor të jetë i sigurt për nxënësit, prindërit dhe të gjithë përdoruesit e rrugës.

Gazetare: M. Dokle

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›