Murtaja e ruminantëve të vegjël, dyshime për një vatër infeksioni në bashkinë e Ersekës

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë Roland Meçaj, Shërbimi veterinar i juglindjes ka marre mostrat e një tufe bagëtish të dyshuara si të infektuara dhe janë dërguar për analiza laboratorike.
Sipas analizave fillestare, tufa është konfirmuar si e infektuar me murtajë por duhet pritur përfundimi i analizave.
“Analizat laboratorike fillestare janë bërë me metodën e serologjisë. Ne kemi një konfirmim të një vatre në qarkun e Korçës. Po presim përgjigjen e analizave të dyta me PCR, të cilat do të jenë analizat konfirmatore përfundimtare. Në rast se do të kemi një rast të konfirmuar pozitiv me sëmundjen e murtajës së ruminantëve të vegjël, do të merren të gjitha masat, ashtu sikurse për të gjitha tufat që na kanë dalë pozitive deri tani”, shprehet Meçaj.
Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë ka bërë me dije se të gjithë blegtorët në vend, përfshi dhe ato të juglindjes, të cilët vitin e kaluar kanë humbur fermat e tyre blegtorale për shkak të Ruminantëve të Vegjël do të shpërblehen për dëmet e shkaktuara.
“Sëmundja e ruminantëve të vegjël që preku vitin e kaluar Shqipërinë ka dëmtuar një numër prej rreth 2000–2200 krerësh të imta. Vlera e këtij dëmtimi do të shpërblehet nga buxheti i shtetit. Është tashmë në proces vlerësimi i vlerave financiare sipas fermereve, sipas vlerave të përcaktuara nga shërbimi veterinar, të cilët kanë qenë pjesë e vlerësimit të të gjitha kafshëve të dëmtuara vitin e kaluar. Vlera është alokuar dhe ata janë në pritje të marrjes së kompensimit financiar”, thekson më tej ai.
Vitin e kaluar ka pasur me qindra krerë të imtash të ngordhura për shkak të këtij infeksioni ndërsa me urdhër të ministrit të bujqësisë se fundmi është ndaluar shtegtimi i blegtorisë nga vendet fqinje përfshi dhe Greqinë
Gazetare: G. Sali