Murtaja në kufi, shërbimi veterinar dhe policia në Kukës monitorim në treg dhe akse rrugore

Shfaqja e murtajës tek ruminatët në disa qytete të vendit është kthyer në një problem serioz për sektorin blegtorisë. Megjithatë, në Qarkun e Kukësit deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i konfirmuar apo i dyshua, këtë e bën të ditur Inspektori veterinar Halim Gjana.
“Qarku i Kukësit që në rastin e parë në Shkodër, ka qenë shërbimi veterinar i angazhuar në terren. Deri më tani qarku i Kukësit nuk ka asnjë rast të dyshimtë”, u shpreh ai.
Gjana thotë se janë ngritur grupet e punës për kontrolle në fermat me numër të lartë të të imtave, por jo vetëm.
“Dje kemi organizuar grupet e punës të cilët kanë monitoruar dhe situata është e qetë. Ndërsa aktualisht bagëtia janë në kullota verore dhe nuk kemi asnjë rast të dyshimtë”, tha inspektori.
Inspektori Gjana thekson gjithashtu se masat për ndalimin e tregtimit të kafshëve në tregun e gjësë së gjallë dhe transportit nga një fermë në tjetrën mbeten në fuqi dhe monitorohen rregullisht.
“Kemi ngritur grupet e punës në akset rrugore, në tregun e gjësë së gjallë dhe në thertore dhe në pikat kufitare”, tha Gjana.
Duke qenë se harta e kësaj sëmundjeje është zgjeruar dhe se zonat kufitare përreth janë prekur, e rrjedhimisht rritet rreziku edhe ne Qarkun e Kukësit.
Gazetar: Dashmir Shehu
/rtsh.al/