"Musine Kokalari" për gra të guximshme

Ambasada Amerikane nis nga ky vit ta quajë Çmimin për Gra të Guximshme me emrin e Musine Kokalari. Sot shpallet fituesja, një grua që kontribuon në botën shqiptare
Është hera e parë që jepet një çmim në Shqipëri me emrin e një gruaje, në adresë të një gruaje. "Musine Kokalari" quhet çmimi i përvitshëm që jepet sot nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
Është ambasadori amerikan John L. Withers II që i dorëzon çmimin sot pasdite në rezidencën amerikane, asaj gruaje e cila gjatë një viti "ka dëshmuar guxim" në një mision shoqëror apo një detyrë të përditshme në mjedisin shqiptar.
Çmimi me këtë emër është pagëzuar po gjithashtu nga Withers II, i cili prej kohësh ka pohuar se është i mbushur me respekt përballë figurës së Kokalarit për kontributin ajo ka dhënë në fushën e ideve politike dhe për modelin etik që krijoi në një kohë të vështirë për burra dhe njerëz të lirë dhe shumë herë më të vështirë për femrën. Në këtë kuptim ky model e lë të hapur drejt sferave humane vlerësimin për gra të guximshme.
Nëse kërkojmë një motiv për "Musine Kokalari - Woman of Courage Award", një farë përgjigje nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara, e gjen tashmë në shënimin e tij të 8 marsit në Gazetën "Shekulli": "Nuk kanë fuqi të mbinatyrshme, por përfaqësojnë atë çka është e shkëlqyer, frymëzojnë të tjerë dhe kanë përkushtim me pasion ndaj sjelljes së ndryshimit brenda komuniteteve ku shërbejnë.
8 marsi është një ditë e caktuar për të nderuar femrat në Shqipëri dhe në mbarë botën si Heroina të Përditshme që zbulojnë shtigje të reja dhe kapërcejnë pengesa, ndërkohë që rendin drejt përparimit dhe begatisë për brezat që do të vijnë."
Çmimi që jep ambasada e SHBA-ve në Tiranë është në kuadrin që traditës për Muajin e Gruas, siç njihet muaji mars në vendin e origjinës së çmimit në fjalë.
Por është hera e parë që ky çmim merr emrin e një gruaje në kulturës vendase.
Ka disa muaj që një grup pune i ambasadës punon për ditë e sotme.
Në nëntor 2009, pas një vizite disaditore në Gjirokastër, Withers II, u shpreh i mallëngjyer për Musine Kokalari. Kishte bërë një vizitë në shtëpinë e saj të lindjes. Ai shprehu keqardhjen që kjo grua "është dënuar, burgosur, internuar dhe persekutuar nga regjimi komunist për shkak të mendimit politik dhe krijimtarisë të saj ndryshe nga klishetë e imponuara nga regjimi i asaj kohe të vështirë".
Nga katedra akademike dhe universitare Musine Kokalari (1917-1983) është cilësuar pioniere e lëvizjes së feminizmit në Shqipëri dhe për këtë i referohen aktivitetit të saj si shkrimtare dhe veprimtare politike.
Themeloi Partinë Socialdemokrate në vitin 1943, dhe shkruante në gazetën "Zëri i Lirisë", organ i partisë. Ishte pjesëtare e grupimit të opozitar antikomunist "Bashkimi Demokratik Shqiptar" (1946), një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e Rezistencës dhe me Grupin Monarkist. Më 12 nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Ajo u dënua me 20 vjet heqje lirie, bëri 16 vjet burg, 22 vjet në internim. Vdes nga tumori më 1983.
Është autore e veprave "Siç më thotë nëna plakë" botim i vitit 1939 me rrëfenja, gojëdhëna, shënime dhe recenca mbi etnografinë e traditën popullore. Kokalari ka kontribuar shumë në studimet etnografike, ashtu si dhe në ato letrare e gjuhësore..
Më 1944 botohet "Rreth vatrës" dhe "Sa u tund jeta" 1945. Më 2000 botohet një përmbledhje e shkrimeve, artikujve, eseve dhe kujtimeve me titull "Si lindi Partia Demokratike". Në 2004 u botuan 60 ese të sajat nën titullin "T'isha një lule".
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpalli në vitin 2006 Çmimin "Musine Kokalari" për shkrimtaren më të mirë grua të vitit. Thuhej se çmimi kishte për qëllim që të nxitë letërsinë e shkruar nga gratë, dhe në këtë mënyrë t'i jepte një dorë rolit të gruas në shoqëri. Çmim që nuk u dha kurrë, sepse konkursi nuk u bë
Kokalarit i janë akorduar nga Presidenti i Republikës medalja "Martir i Demokracisë" (Pas vdekjes) dhe Titulli "Nderi i Kombit".