E Diel, 1 Nëntor 2026

“Musolini ia ka vënë syrin Shqipërisë”, ambasadori i SHBA paralajmëroi rrezikun italian që në vitin 1933! Çfarë raportoi Herman Bernshtein

KASTRIOT KOTONImusolini

Ambasadori i parë amerikan në Shqipëri ishte miku më i madh i kombit shqiptar Herman Bernshtein, i cili e ushtroi këtë funksion prej vitit 1930-1935. Ai kishte lindur më 21 shtator të vitit 1876 në Vladislavov në atë kohë njihej si kufiri midis Gjermanisë dhe Rusisë. Ambasadori Bernstein i kushtoi vemendje të posaçme njohjes së historisë së hebrenjve në Shqipëri. Për ambasadorin edhe historia e Sabatai Zevi ishte shumë e rëndësishme. Historia e Mesias së Rremë Sabatai Zevi (The Lost Messia), i cili vdiq në Shqipërinë e vitit 1676 është kontakti i parë shkrimor në historinë e shqiptarëve me popullin hebre.

Sabatai ishte një figurë shumë interesante në botën hebraike, i cili besohet se ka vdekur pranë brigjeve të lumit Osum në Berat. Ai pasi kishte udhëhequr një lëvizje për t’i dërguar hebrenjtë e Europës drejt “Tokës së Premtuar”, ishte kthyer në një rrezik serioz ndaj pushtetit osman. Sulltani duke parë mashtrimin e Zevit e thirri dhe e vuri përpara xhelatit, duke i kërkuar të zgjidhte mes jetës dhe vdekjes:” O të kthehej në fenë islame, ose t’i pritej koka”. Zevi zgjodhi të kthehej në fenë islame dhe u internua në Ulqin. Vitet e fundit i kaloi në Berat, ku krijoi një sekt islamik, që ekziston edhe sot në Shqipëri. Kur vdiq nën jastek kishte librin e shenjtë Torah. Kjo ka lidhje me një kategori hebrenjsh të njohur me ermin Donmeh të cilët jetuan e vazhdojnë të jetojnë si kripto-hebrenj, të cilët edhe pse shndërrohen në fenë islame e ushtrojnë fshehtas judaizmin. Mbetet interesant fakti se ende disa besimtarë besojnë se Sabatai Zevi nuk ka vdekur dhe ai një ditë do të kthehet dhe do t’i udhëheq drejt Jeruzalemit.

Ambasadori Bernshtein i cili u emërua në tokën shqiptare për herë të parë nga Amerika ishte një mbrojtës i madh i Presidentit Wilson, që kur ai ishte guvernator i Neë Jersit, ai kishte organizuar edhe takime të tij me gazetarët më të famshëm të Amerikës në fushatën elektorale. Njohja personale e këtij hebreu me Presidentin Wilson 10 vjet përpara se të zgjidhej ambasador në Shqipëri, flet shumë për një përzgjdhje të kujdeshme të shtetit amerikan. Një detaj tjetër që e bën më të vlefshëm propozimin për ta zgjedhur ambassador në Shqipëri ishte miqësia e ngushtë e Bershteinit me Presidentin Hoover, për të cilin duke mbuluar fushatën elektorale, në kohën kur kishte shpërthyer revolucioni në Rusi. Fjala e Bernshteinit pati peshë të madhe në zgjedhjen e këtij burrë shteti në krye të Shtëpisë së Bardhë, sidomos me botimin e librit “Njeriu që e solli Amerikën në Botë”.

LOBI HEBRAIK

Bernshteini kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në lobin hebre në Amerikë dhe kjo duket nga urimet që ai ka marrë nga lobi hebraik. Herman Bernshtein lindi më 21 shtator 1876 në Vladislavov me prindër Davidin dhe Marie Bernstein. Kjo familje nga Bjellorusia emigroi më 1893 në Shtetet e Bashkuara ku kreu studimet. Emërimin e tij si ambassador në vendin tonë e përcolli me entuziazëm edhe gazeta ‘Dielli”. Bernstein kishte interesa të gjera intelektuale, si poet, si gazetar, si analist si polemist dhe si diplomat. Miqësia e tij me një antibolshevik si Leonid Andrejev e çoi Bernshteinin në një njohje më të thellë dhe përcjellës të letërsisë ruse në botën anglisht folëse. Në librin me titull “Mendjendriturit” me autor Herman Bernshtein kemi intervistat të tij me njerëzit më të shquar në botë, që jetonin në Evropë dhe në Rusi, si Leon Tolstoi, George Bernard Shoun, Auguste Rodin, Henri Bergson, Papa Benedikti XV, Pjetër Kropotkin, Leon Trocki, Chaim Weizmanin, Sheik-Ul-Islamin, Hevelok Elisin, Roman Roland, Albert Ajshtajnin, Theodor Roosevelt, Woodroë Wilson etj. Në këto intervista ai nxjerr në pah shqetësimet e këtyre njerëzve të mëdhenj, konceptet për politkën, artin, shkencën, estetikën, luftën, revolucionin, por si një hebre i devotshëm nuk harron të përmend çështjen e popullit hebre nëpër botë. Ai parashikoi të dy luftërat botërore të cilat po shkonin drejt një ashpërsimi aq të egër deri tek ajo u quajt Holokaust, Shoah në hebraisht, apo “Zgjidhja Përfundimtare,” sipas nazizmit. Ndër të tjera mes gjithë figurave të ndritura të intervestuara prej tij dhe që ai e rëndit si më të rëndësishmen është edhe Presidenti Wilson me të cilin kishte korrespondencë dhe njohje personale.

Bershteini e vlerëson Presidentin Wilson kur shkruan se: ai ishte idealist i madh dhe si çdo i tillë edhe ai u zhgënjye. Tragjedia e tij lidhet me faktin se ai ishte shumë përpara kohës së tij. Brezat e ardhshëm të Amerikës do të mësojnë se si të vlerësojnë trashëgiminë e shkëlqyer të idealizmit që ai i ka lënë. Kur Ëillsoni i hyri në politikë e nxiti një forcë e madhe morale, pasionipër të drejtën dhe të vërtetën sociale, për një liri të re dhe paqe universal. Ai ishte ai lloj politikani dhe burrë shteti amerikan i fuqishëm dhe i mprehtë, i përcaktuar për t’i realizuar në jetë teoritë e tij fisnike dhe doktrinat humanitare. Ai nuk ishte vetëm një ëndërrimtar. Idealizmi i tij kishte edhe një bazë praktike. Ai shihte shumë më larg në të ardhmen, sesa bashkëatdhetarët e tij dhe tragjedia e tij qëndron në faktin se ai duke qenë shumë përpara në kohë, shpesh keqkuptohej. Gjatë luftës, Presidenti Wilson u ngrit si figura më e rëndësishme të botës jo vetëm si President i vendit më të madh, më të pasur dhe republikës më të fuqishme, por edhe si zëri i vetë njerëzimit. Ai përfaqësonte një shpresë të re për botën. Edhe pse Evropa jetonte në çmendinën e kasapahanës, aty papritmas iu shfaq ndërgjegja e një njeriu të ri të madh, vetë ndërgjegja e lartësuar e Amerikës, Presidenti Wilson me fjalët më të thjeshta, të ndërthura me elegancë, që mishëronin ideale fisnike.

Ai ngjan me një Gospel të ri, që predikon për Sinanin. “Formula e tij e vetvendosjes së kombeve”, përbën trashëgiminë më të mirë të Presidentit Wilson. Kur u pyet nga francezi Clemenceau për katërmbëdhjetë pikat tuaja të vetvendosjes së popujve kur Moisiu na ka lënë vetëm dhjetë komandamente?” Kësaj pyetje Wilsoni iu përgjigj: “Nëse më garantoni se do t’i zbatojmë dhjetë komandamentet në Konferencën e Paqes, unë do të isha krejt i gatshëm të heq dorë prej katërmbëdhjetë të mijave”. Ai erdhi në Europë si një ndërmjetësues i madh i paqes, thotë Bershtein. Popujt veçanërisht të vegjël, panë tek ai një prej liderëve më të mëdhenj të botës, mëshirimin e shpresës dhe shpëtimit të tyre. Popujt e adhuruan atë në Itali, Belgjikë, Çekosllavaki bile deri në Siberinë e largët. Ajo që bëri në Europë u duartrokit prej milionave njerëzve, si asnjëherë më parë. Ai u pa si një lider idealist, që përfaqësonte një shtet gjigand, të cilin nuk ishte e lehtë ta kundërshtoje. Liderët europianë nuk guxuan ta kundërshtonin dhe mbetën të gozhduar me shpatulla për muri, kur ai fliste. E vetmja gjë që iu mbetej atyre, ishte të pranonin në heshtje, edhe pa dëshirë. Një prej trashëgimeve të Wilsonit ishte shkatërrimi i Dinastisë së Hohensenëve dhe kajzerizmit.

Wilsoni i drejtoi forcat morale dhe fizike të Amerikës kundër kajzerizmit dhe e shtypi atë. Kjo ishte një arritje monumentale Bershteini e ka takuar Presidentin Wilson në hotel Crillon në, Paris një ditë përpara se ai të kthehej në Amerikë. Miqësia e artistit tonë Aleksandër Moisiu me Herman Bernshtein forcohej dita ditës derisa ky i fundit së bashku me të bijën Dorothy, përkthen nga gjuha gjermane në atë angleze dramën “I burgosuri”, të cilën Aleksandër Moisiu ia kishte kushtuar Napoloni Bonapartit për interpretimin e tij në ishullin Elbë dhe që përbën një pjesë vogël të këtij libri për Bernshteinin. Shkrimi vazhdon me vlerësimin e Aleksandër Moisiut për Presidentin Wilson. Ai e cilëson Moisiun si “aktori i madh europian”, i cili ka shfaqur një kuptim të thellë të jetës dramatike të amerikanit të ditëve tona, idealistit suprem, i cili vdiq këtë vit dhe që ka si vendondhje të renditet me Linkolnin në historinë e Amerikës. Aleksandër Moisiu thotë: Pesëdhjetë vite më vonë do të ketë më shumë drama të shkruara rreth Ëoodroë Wilson, sesa janë shkruar për Napolonin ose ndonjë personazh tjetër të shquar të historisë. Në jetën e tij ka një dramë më të madhe sesa ato që ka përmendur vetë Shekspiri.

Bershteini si analist dhe diplomat i dërgonte Departamentit të Shtetit analiza dhe prognoza për Shqipërinë tek të cilat nuk shihet thjeshtë një raportim rutinë i zhvillimeve të ditës, por edhe pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve, rrjedhojat dhe pasojat që rrjedhin prej tyre në përfundimin final. Një e tillë është tema: “Shqipëria-Belgjika e Ballkanit”, ku ndër të tjera shtron pyetjen “Pse Shqipërisë i referohemi si një prej zonave më të rrezikshme të Europës, ku ngjet shumë të fillojë luftë?” Më tej vijon Bernshteini se kjo është një prej pyetjeve të shumta, të cilat m’i bëjnë shpesh amerikanët. Disa prej tyre janë: Ku është Shqipëria? Sa e vjetër është Shqipëria? A është shtet i pavarur apo koloni italiane? Shqipëria nuk është vetëm vendi më pak i njohur, por edhe vendi i prezantuar më keq në Europën e sotme. Ajo është viktimë e propogandës së fabrikuar dhe shpërndarë në disa prej vendeve fqinjë për qëllime politike dhe egoiste të tyre. Gazetarë të përgjegjshëm dhe vëzhgues seriozë vijnë rrallë në Shqipëri dhe në të shumtën e rasteve ata nuk rrinë aq shumë kohë, sa të mbrrijnë deri tek e vërteta.

“TOKA E HARRUAR E EUROPËS”

Në Ballkan thashethemet, hamendjet dhe intrigat janë aq mjerisht të manipuluara, saqë edhe një vëzhgues shumë i zoti dhe me nivel të lartë e ka të vështirë të dallojë të vërtetën nga mashtrimi Shqipëria ka qenë njohur me emrin “Toka e harruar e Europës”, “Cindrela midis Kombeve”, “Toka e Çudirave”, “Çelësi i Adriatikut” dhe Belgjika e Ballkanit”. Historia e Shqipërisë shkon thellë në kohërat para kristiane. Qyteti i Durrësit i njohur si Durrahim, është dymijë e shtatëqind vjet i vjetër. Shqiptarët besohet se rrjedhin nga Ilirët e lashtë, Aleksandri i Madh i Maqedonisë ishte bir i një princeshe shqiptare. Qyteti i Butrintit shtrihet në Jug në Shqipërisë, aty ku kërkimet e kohërave të fundit kanë sjellë në memorje përsëri skenat e pavdekshme aq e hershme të Virgjilit, ka një amfiateatër të jashtëzakonshëm më shumë se dymijë vjeçar. Kodra fenike afër Sarandës, në Jug të Shqipërisë, rrethohet prej prej muresh masive, të cilat e bëjnë atë një prej vendeve më të fortifikuara dhe akropolin më të gjerë të botës klasike. Grekët, romakët, sllavët dhe turqit e pushtuan Shqipërinë dhe e mbajtën atë, duke u munduar t’i imponojnë popullit të saj kombësitë e tyre, gjuhën, zakonet, në mes të atyre maleve të ashpra, por pa sukses….Sot Mbretëria e Shqipërisë zë një sipërfaqe sa ajo e Belgjikës me një popullsi mbi nji milion banorësh.

Mendohet se ka edhe një grup shqiptarësh, jashtë vendit, i cili e tejkalon shumën një milion e gjysëm të shpërndarë andej-këndej si në Greqi, Jugosllavi, Bullgari, Rumani, deri në SHBA. Shqipëria është vendi Europës që nuk ka hekurudha, ku njerëzit udhëtojnë me gomarë ose mushka, me kuaj dhe mjete motorike, por në të njëjtën kohë ajo ka një shërbim të shkëlqyeshëm ajror, me një shërbim të shpërndarë brenda vendit si dhe me Romën dhe Selanikun. Ata dallohen si njerëz që nuk e njohin frikën. Rënia e Sulltan Abdyl Hamitit u pa prej shqiptarëve si mundësi për emancipim dhe çlirim nga despotizmi turk, por shumë shpejt ata u zhgënjyen, sepse turqit e rinj, në vend që t’i jepnin pavarësinë Shqipërisë, zbatuan një politikë shtrënguese të shovinizmit turk, duke e intesifikuar shtypjen e gjuhës shqipe, literaturës dhe shkollave.

Më 28 nëntor të vitit 1912, në portin shqiptar të Vlorës u shpall pavarësia e vendit prej një asambleje kombëtare. Aty u ngrit flamuri shqiptar i ruajtur që në kohën e Skënderbeut. Ishte Ismail Qemali, i cili pas më shumë se katër shekujsh robërie, deklaroi shpalljen e pavarësisë së vendit. Shqiptarët natyrshëm deshën të zgjidhnin një udhëheqës të vetin, por ishin disa vende europiane veçanërisht Italia dhe Austria, të cilët kishin kandidatët e vet për fronin shqiptar. Princi gjerman Vilhelm Vid u zgjodh në krye të fronit shqiptar. I kërcënuar nga intrigat brenda vendit, froni i tij u trondit shumë shpejt. Fill pas shpërthimit të Luftës Botërore, princi ua mbathi këmbëve nga Durrësi me këshillën e miqve të tij dhe Këshilli të Ambasadorëve të huaj. Një vlerësim të lartë ka Bernshteini ka për Ahmet Zogun të cilin e cilëson “Udhëheqësi i Bijve të Shqipes” është një djalë i gjatë, i hollë, inteligjent, 36 vjeçar. Ai mbahet me dinjitet të lartë prapëseprapë me një thjeshtësi mbresëlënëse dhe të përmbajtur.

LEGATA AMERIKANE

Në një raport të dhënë për Departamentin e Shtetit, Legata amerikane në Tiranë, pasi raporton fjalimin e Ministrit Bernshtein, shkruan edhe për rëndësinë që Madhëria e tij, Mbreti Zog i kishte kushtuar hapjes së Legatës me pjesëmarrjen e tij personale. Kjo gjë shënonte në fakt dy ngjarje. E para ishte selia e parë amerikane e ndërtuar jashtë Amerikës dhe e dyta ishte pjesëmarrja për herë të parë e Mbretit Zog në një ceremoni të organizuar nga një Legatë e huaj. Inagurimi i Legatës u bë në ditën e Falenderimeve, më datën 27 nëntor 1930. Legata amerikane është e para ndërtesë moderne në Tiranë me sistem ngrohjeje dhe frigoriferë elektrikë, kjo nxiti edhe shtete të tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Diskutimet e Bernshteinit me Mbretin Zog në lidhje me mundësinë e vendosjes së një numri hebrenjsh nga Euopa në Shqipëri, kanë patur efektin e tyre në ruajtjen e hebrenjve para dhe pas pushtimit Italian dhe gjerman.

Mbreti Zog dha një porosi ndaj misioneve konsullore shqiptare në Europë, që të pajisnin me viza ata hebrenj nga Europa, të cilët e shikonin Shqipërinë si mundësi shpëtimi. Është kjo arsyeja pse një numër i madh hebrenjsh, e gjeti shpëtimin në Shqipëri. Ambasadori amerikan aq shumë e adhuron Shqipërinë sa për të shkruan artikuj e raporte për të ftuar turistët e gazetarët e huaj që ta vizitojnë këtë vend të bukur e magjepës, siç shkruan ai për “Cepin e fundit të pazbuluar të Europës Juglindore”. Mikëpritja proverbiale dhe sensi i nderit nuk janë përkeqësuar në procesin e marshimit të shpejtë të vendit drejt modernizimit. Jashtë dritares së Legatës ai sheh një Tiranë që po rritet, kryeqytetin e njerëzve të shqipes që po përfitojnë format moderne, njerëz që adaptojnë mënyrat përparimtare të perëndimit, që i vijnë nga jashtë. Vendi mban një pozitë të rëndësishme në Adriatik.

Në Shqipëri Lindja dhe Perëndimi i rrudhin krahët, si në pak vende të tjera. Gratë shqiptare mbahen nën kujdes të madh prej burrave. Një grua që udhëton e vetme është e sigurtë, kudo që të shkojë në Shqipëri. Krerët e myslimanëve, katolikëve dhe orthodoksëve jetojnë në harmoni dhe ndjekësit e tyre falen në vendet e lutjeve të njëri-tjetrit. Bernshteini vlerëson tolerancën fetare, bashkëjetesën në paqe dhe mirëkuptim, madje kremtimi i njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare në një qendër kulti, si një ndër cilësitë fisnike të shqiptarëve. Me rastin e 200 vjetorit të lindjes së G.Ëashingtonit festimet u kryen edhe në Tiranë, ku për nder të tij u mboll një fidan i pemës së ardhur nga Mali i Vermontit. Bernshtein merr pjesë në hapjen e “Shkollës Bujqësore të Kavajës”, më 2 prill 1932. Babai i kësaj shkolle ishte Charls Telford Erikson, i cili ishte një filoshqiptar 24 karatësh qysh në fillim të viteve 20, të shekullit të kaluar pas shumë bisedimeve me krerët e shtetit shqiptar që nga Zogu dhe Fan Noli mori miratimin e tyre për hapjen e Shkollës Bujqësore.

Eriskoni mbështeste përpjkejet për reformën agrare, por e kuptonte se pa një arsim profesional bujqësor, nuk do të kishte zhvillim vendi dhe nuk mund të kryeshin reformat. Herman Bernshteini respektin e tij për Shqipërinë e shfaqte jo vetëm në punët zyrtare, por edhe në jetën private kur ai kryen një akt të rrallë dhe marton vajzën e tij Dorothy Jean Bershtein me një djal francez Actius Nash, student për mjekësi, në mjediset e Ambasadës me ceremoninë e udhëhequr nga kryetari i bashkisë së Tiranës Rexhep Jella. Bernshteini, si një adhurues i Shqipërisë, është njëkohësisht një udhëtar i mirëinformuar i vendit tonë, duke e shprehur këtë me fjalët: “Kam pasur kohë të udhëtoj shumë në vendin tuaj të bukur dhe kam parë me sytë e mi edhe gëzimin edhe keqardhjen. Kam parë njerëz të padjallëzuar, të thejshtë, shumë punëtorë, paqësorë dashamirës dhe të këndshëm, të pajisur me tipare dhe karakter të vërtetë fisnik. Por kam parë edhe varfërinë e skajshme, mjerime të tesjskajshme. Nuk ka dyshim se mundësitë për arritjen e lumturisë në Shqipëri shtrihen kryesisht në kultivimin e përmisuar të tokës dhe ruajtjen e paqes. Çdo përpjekje konstruktive në këtë drejtim është një kontribut ndaj prosporitetit dhe lumturisë së popullit shqiptar.

KOMUNIKIMI ME INTELEKTUALËT

Ambasadori amerikan Bernshtein pati një komunikim të vazhdueshëm me intelektual dhe klerik të ndryshëm shqiptar si At Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica, Lef Nosi, Aleksandër Moisiu, etj. Bernshteini kishte shprehur një interes të veçantë për trashëgimin historike të shqiptarëve dhe ruajtjen e vlerave arkeologjike dhe këtë e tregon pas një vizite në Butrint ku ndër të tjera ai e shpreh këtë nga letra miqësore që i kishte dërguar arkeologut italian Luigi Ugolini. Bernshteini mahnitet nga bukuritë e Butrintit dhe vlerëson vlerat e qytetit antik dhe thotë se, nëse do të kishte mundësi udhëtimi për të huajt që të vizititonin këtë vend kaq të bukur dhe interesant, atëherë ky vend do të ishte i mbushur plot e përplot me turistë. Ugolini miku i ngushtë i ambasadorit amerikan Bershtein i viteve 1930-1935, i tregon gjatë një vizite në Sarandë për për një varr i cili quhet nga vendasit si “Varri çifutit”, që gjendet ndërmjet Sarndës dhe Delvinës. Ambasadori amerikan i kushtoi vemendje të posaçme njohjes së historisë së hebrenjve në Shqipëri, siç kujtonte përkthyesi i ambasadorit mik i ngushtë i tij Kol Kuga, në një vizitë në qytetin e Vlorës më 3 mars të vitit 1933, takuam disa hebrenj me të cilët folëm për historinë e tyre në Vlorë. Aty kishin biseduar me një hebre i cili kishte një dyqan dhe quhej Joseph Matattias. Ky nuk dinte asgjë për historinë e hebrenjve në Vlorë, por nga ato që kishte dëgjuar nga të parët e tyre, të cilët nuk ishin lodhur së shkruari kujtimet e tyre, rrëfehej se kishte ardhur një koloni hebreje në Vlorë nga Venecia përpara pushtimit Osman, d.m.th në kohën e pushtimit të parë nga Venecia.

Me pushtimet turke hebrenjt ikën së bashku me venecianët. Hebrenjtë u rikthyen përsëri me venecianët dhe më pas në pushtimin e dytë turk ikën përsëri të shpërndarë në shumë drejtime. Pushtuesit panë që të gjitha dyqanet e hebrenjve në Vlorë ishin të mbyllura dhe kur i hapën ishin të boshatisura. Bashkësia hebraike në Janinë zotëronte një libër shumë të vjetër, i cili thuhet se i takonte Sinagogës së Vlorës. Mendohet se ai ishte aty që prej kohës së eksodit të dytë. Librin bashkësia e Janinës nuk ua dha se, ai është një libër i shenjtë shumë i vlefshëm dhe nuk mund të dalë prej andej. Këtu në qytet ka pasur një ndërtesë të madhe e cila u shkatërrua nga lufta e cila njihet me emrin “Çifuthane” ose “Lagja e Hebrenjve”, megjithatë kemi gjetur varrezat e hebrenjve. Tani kemi varret tona, mbyll rrëfimin miku i Bernshteinit. Ambasadori Bernshtein i referohet një dokumenti gjerman të viteve 1611 në të cilin shkruhet”…shumë prej këtyre vendeve janë të populluara nga prej popullsisë hebreje, të cilët shkuan në Shqipëri nga Ankona gjatë perudhës së Papa Pavlit IV, i cili e vështirësoi inkuzicionin. Po ashtu ai bie në gjurmët e Sabatai Zevi, i cili mendohet se ka vdekur në brigjet e lumit Osum të Beratit.

SYNIMET E MUSOLINIT

Bernshteini shprehet me indinjatë të thellë kundër padrejtësive të shtetit Italian ndaj interesave të Shqipërisë, si në monopolin e naftës, firmat e ndërtimit dhe të transportit apo bankat të cilat i trajtonin shqiptarët me një përbuzje therrëse, dhe në raporte superioriteti. Sipas tij viti 1935 ishte viti i Musolinit dhe i politikës së tij në mënyrë që të shtrihej në Ballkan. Qëkurse erdhi në fuqi Mosolini ia ka vënë syrin Shqipërisë thekson Bernshteini. Lufta Europiane që pritej të fillonte është ndalur prej Mbretit Zog të Shqipërisë, i cili e ka shpërfillur Musolinin. Ai ka mbrojtur me kurajo dhe zgjuarsi pavarësinë e vendit të tij kundër synimeve italiane për ta dominuar, militatrizuar dhe kolonizuar atë që është quajtur “Toka e Harruar e Europës”, vijon më tej ambasadori amerikan.Megjithëse italianët e përmendin shumë rrallë “Luftën e Vlorës”, por ajo përbën një poshtërim për ta që ua bën shqiptarët, ishte një grusht kundër krenarisë kombëtare, njësoj si shkatërrimi që pësuan në Adoëas. Incidenti i vitit 1934 midis flotës luftarake italiane dhe autoriteteve shqiptare, përbën një kapitull të veçantë i përshkruar nga Bernshtein, sipas raporteve të tija, ishte Roma që mbështeti një revoltë në Jug të Shqipërisë, deri me një atentat ndaj Mbretit Zog, afër Fierit. Nuk duhet lënë pa përmendur dëshmitë e një personaliteti të lartë në komunitetin hebre si zonja T.Scarlet Epstein Profesore në Amerikë, e cila trokiti në dyert e shumë konsullatave, kur ishte (vetëm 16 vjeçe), që gjendeshin në Zagreb, por të gjitha ja mbyllën derën me forcë përpara syve, sapo ajo u tregonte pasaportën e saj me gërmën “J” të damkosur nga nazistët. Në këtë kohë xhaxhai i saj i thotë se, kishte një shpëtim dhe ky ishte një vend si Shqipëria! “Shqipëria më shpëtoi jetën” ishte rrëfimi apo mirënjohja e familjes së saj, në vitin 2014.

/Gazeta Panorama

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›