Mustafa: Akuzat e Kelmendit janë të ndyta

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas përurimit të sheshit “Ibrahim Rugova”, të cilin e ka vlerësuar si një projekt mjaft me rëndësi për komunën e Prishtinës, akuzat e Ibrahim Kelmendit, ndaj tij dhe ish-kryeministri të Kosovës, në ekzil, Bujar Bukoshi, si keqpërdorues të fondit të tre për qindshit, i ka quajtur si shpifje dhe gënjeshtra.
Ibrahim Kelmendi, pas akuzave ndaj Riza Salihut, si vrasës të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, tash së fundi ka akuzuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshin, për të cilët ka thënë se nga fondi i 3 për qindshit kanë dërguar qindra miliona marka në Serbi.
Mustafa këto akuza i ka quajtur si gënjeshtra të pastra, duke shtuar se vetëm një njeri i çmendur mund të jap vlerësime të tilla.
“Me njerëz të ndytë nuk merrem, sepse nuk humbi kohë kot, sepse kjo është një ndyrësirë totale. Së pari ne nuk i kemi pas 50 milion, janë shumë të mëdha që të kesh e le ma që të dërgosh në Serbi. Kështu që nuk kemi çka me u marr me të, me shpifje apo pa shpifje se janë gjëra të ndyta”, ka thënë Mustafa. /kosovapress/