E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amir Ahmeti mohon refuzimin

Deputeti i PD’së, Amir Ahmeti nuk beson se Presidentja Atifete Jahjaga ia ka refuzuar kandidaturën për ambasador në Riad. Ai thotë se nuk ka marrë ende përgjigje zyrtare për këtë. Ndërkaq, me ish- Ministrin Ahmet Shala, emri i të cilit nuk është dërguar në kryeqytetin belg , kontakti ka qenë i pamundur.

Deputeti i Partisë së Drejtësisë, Amir Ahmeti ende nuk është bindur se Presidentja Atifete Jahjaga nuk ia ka dërguar fare emrin në Riad për të marrë agremanin që më pas do ta bënte ambasador.

Në një prononcim për Express, Ahmeti ka thënë nuk është e vërtetë se ai është refuzuar nga shefja e shtetit.

“Jo, nuk besoj se ka diçka të vërtetë në këtë”, ka thënë Ahmeti.

“S’kam asgjë zyrtare rreth kësaj...Jo, nuk dua të komentoj për këtë pa pasur diçka zyrtarisht.

Nuk besoj se ka diçka të vërtetë këtu, përndryshe mendoj se të paktën ishe dashtë me na njoftu neve...”, ka shtuar ai.

Express nuk ka mundur të kontaktojë me kandidatin për ambasador në Bruksel, Ahmet Shalën, emri i të cilit po ashtu nuk është dërguar në kryeqytetin belg nga Presidentja.

Burime të Express kishin bërë të ditur të mërkurën se emrat e ish-Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shalës dhe deputetit Amir Ahmeti nuk janë dërguar në Bruksel dhe Riad për të kërkuar agremanin.

“Emrat e tyre nuk janë dërguar fare tek shtetet përkatëse, për dallim prej propozimeve tjera. Sipas gjitha gjasave, ajo i ka refuzuar ato dy propozime të Ministrisë së Jashtme”, kishte thënë një zyrtar për Express në kushtet anonimiteti.

E drejta e mosdekretimit, apo refuzimit të kandidatëve të propozuar nga MPJ’ja i sigurohet Presidentes edhe me Ligjin mbi shërbimet e jashtme të Kosovës.

Mirëpo, në Presidencë ende nuk ka diçka zyrtare për refuzimin që po i bëhet Shalës dhe Ahmetit.

Ndërkaq, nga tetë propozimet e dërguara në janar të këtij viti për aprovim në Presidencë, Jahjaga ka dekretuar vetëm Sylejman Selimin si ambasador në Shqipëri, pasi që kishte marrë agremanin nga shteti shqiptar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›