Mustafa: Nuk ka pasur zarf për përzgjedhjen e presidentes

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka mohuar të ketë pasur zarf me emrin e Atifete Jahjagës, që kjo e fundit të zgjidhjej presidente e Kosovës.
Në një intervistë për mediat kosovare Mustafa I ka mohuar deklaratat e bëra nga kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli, se presidentja është zgjedhur pasi është dhënë një zarf nga ambasadori amerikan në Kosovë Christofer Dell.
“Pacolli e tha atë gati në stilin se ne kemi shkuar atje për të hapur tendera. Vërtet nuk ka qenë ashtu”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se është takuar për disa ditë me ambasadorin Dell. “Unë tre ditë rresht kam biseduar me ambasadorin Dell. Kam biseduar dhe e kam shtruar nevojën që nuk mund të zgjidhet çështja me të cilën ne jemi ballafaquar, ajo e presidentit, nëse subjektet politike parlamentare nuk ulen për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Mustafa.