E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafa: Sheshi i pavarësisë, shpreh në mënyrë domethënëse ndryshimet në Prishtinë

Kryetari Mustafa: Sheshi i pavarësisë “dr. Ibrahim Rugova” , shpreh në mënyrë domethënëse ndryshimet që po bëhen në pamjen e Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, dr. Isa Mustafa të shtunën deklaroi se Sheshi i pavarësisë “dr. Ibrahim Rugova”, që mban emrin e burrështetasit që la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë, shpreh në mënyrë domethënëse ndryshimet që po bëhen, jo vetëm në pamjen e Prishtinës, por edhe në regjenerimin e saj.

Kryetari Mustafa deklaroi kështu në ceremoninë e inaugurimit të Sheshit të pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova, ku tha se këtë shesh e konsiderojmë si shesh, jo vetëm të qytetarëve të Prishtinës por edhe të atyre të Kosovës, të njerëzve tanë që punojnë jashtë vendit dhe të gjithë atyre që vizitojnë Kosovën.

“Sheshi ‘Ibrahim Rugova’, së bashku me sheshin ‘Nënë Tereza’ dhe sheshin ‘Zahir Pajaziti’ ka kthyer gjallërinë në qytetin e Prishtinës. Ne jemi të gëzuar kur shohim fytyrat e qeshura të fëmijëve dhe gëzimin e qytetarëve. Kjo më së miri flet për arsyen e ndërtimit të një sheshi të tillë dhe vazhdimin me projekte tjera të ngjashme. Ky shesh shpreh në mënyrë shumë domethënëse ndryshimet që po bëhen, jo vetëm në pamjen e Prishtinës, por edhe në regjenerimin e saj. Vera e sivjetme vërtetoi se ky shesh është shndërruar në një ambient në të cilin po integrohet qytetari me hapësirën, gjelbërimin dhe ujin në relaksimin e tyre dhe aktivitetet kulturore e sportive.”, tha kryetari Mustafa.

Sheshi është kontraktuar në vlerë prej 4,351,118.70 euro dhe është përfunduar me 4,147,284,80 euro ose për rreth 203 mijë euro më pak nga vlera e kontraktuar.

Punët e infrastrukturës nëntokësore, hapësirave gjelbëruese, fontanave, ujit e ndriçimit kanë kushtuar 1,999,355.40 euro, ose rreth 72 mijë euro më pak nga kontrata, kurse punët e furnizimit dhe montimit me pllaka kanë kushtuar 2,147,929,80 euro ose rreth 131 mijë euro më pak nga kontrata, për shkak se nuk janë shtruar rreth 1,100 metra katrorë pllaka, që është dashtë të vendosen në oborrin e Qeverisë po të ishte hequr rrethoja.

Sasia e pllakave të kontraktuara ka qenë një sipërfaqe prej 12,800 m² ndërsa janë vendosur 11,707.70 m²

- Sheshi ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 15,832 m²;

- në pllaka është shtruar sipërfaqja prej 11,707.80 m²;

- në kubëza është shtruar sipërfaqja prej 832 m², prej tyre 187 m² donacion nga "Mabetex"

- sipërfaqja tjetër përmban pemët, fontanat, postamentet dhe shkallët.

- sheshi i ka katër fontana: fontana qendrore para Teatrit Kombëtar, fontana pas postamentit të Skënderbeut dhe dy fontana te postamenti i presidentit Rugova.

- në shesh janë mbjellur 79 drunjë dekorues të rregulluar me sistemin e ujitjes , ndriçimi,, pllakat mbrojtëse metalike dhe rrethojat mbrojtëse-dekoruese, ose trefish më shumë nga drunjtë që kanë qenë më parë,;

- gjelbërimi i ulët (bari dhe lulet) e kanë të instaluar sistemin automatik të ujitjes dhe është në një sipërfaqe perj 2,400 metra katrorë;

- ndriçimi publik përbëhet prej 65 shtyllave ndriçuese nga 4 metra lartësi dhe 8 shtylla nga 9 metra lartësi, të pajisur edhe me reflektorë special për ndriçim të sheshit;

- në shesh janë 62 ulëse për pushim; 42 shporta për mbeturina, 12 shpuzore, 2 çezme

- Në shpenzime të sheshit bie edhe një monitor për të pagjeturit dhe elemente tjera përcjellëse, që janë financuar nga buxheti i komunës.

- Sistemi i ujitjes është rregulluar nga pusi i veçantë dhe jo nga rrjeti i ujësjellësit rajonal.

Punët e sheshit kanë filluar me 16.03.2012 dhe kanë përfunduar me 05.08.2013. Pas kësaj date ka qenë periudha e sanimit të vërejtjeve.

Mbikëqyrja ka konstatuar vonesa të arsyeshme në realizimin e këtij projekti të cilat kanë ndodhë si pasojë e ndërprerjeve të punës për shkak të : manifestimeve dhe protestave të shpeshta në shesh, kushteve klimatike-periudha e dimrit dhe e problemeve të tjera.

Prodhimet e përdorua për realizimin e sheshit janë prodhime evropiane duke filluar nga pllakat tre-komponentësh , ndriçimi publik, elementet mikro-urbane etj. Të gjitha prodhimet janë ardhur me certifikata nga institutet e vendeve të Bashkimit Evropian.


Mbikëqyrja e ka dorëzuar raportin përfundimtarë me dt. 29.08.2013 ndërsa komisioni i pranimit teknik raportin përfundimtarë për lejen e përdorimit të sheshit e kanë dorëzuar me dt.30.08.2013.

Sheshi është projektuar nga firma “Smart”. Në shesh ka punuar një konzorcium i firmave “Al Zone” , Zysken Trans dhe Gërguri”. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›