Mustafa s’do qendër tregtare as te katedralja as te xhamia

Lokalet përreth Katedrales në lagjen Pejton të Prishtinës do të rrënohen të hënën nga Ndërmarrja Publike Banesore, e cila në këtë pjesë ka paraparë të ndërtojë një qendër tregtare.
Por ky projekt ka rrezik të dështojë, ngase në vendin e lokaleve që janë në pronë të katedrales, ishte paraparë një shëtitore. Prijësit katolikë, me të marrë vesh për planet e dyqaneve, i kanë thënë Komunës se ato mund të ndërtohen vetëm me një kusht: që ato të jenë nën menaxhim të tyre, raporton KTV.
Shan Zefi tha se Komuna duhet të pranojë kërkesën e tyre, sepse toka është pjesë e truallit të ndarë nga vetë Kuvendi Komunal për katedralen e Prishtinës në vitin 2007.
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa i ka thënë KTV-së se Zyra ligjore e Komunës po e shqyrton edhe një here vendimin e Kuvendit, duke shtuar se zhurma që po bëhet nga katolikët është për lokalet, por se ai nuk do ta lejojë këtë as te katedralja, e as te xhamia qendrore.
Shan Zefi ndërkohë ka thënë se për rreth 1 hektar e 30 arë i kanë dhënë Komunës 800 mijë euro. /Indeksonline/