E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa vizitoi Qendrën Inovative të Kosovës

Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa të mërkurën ka vizituar Qendrën Inovative të Kosovës -“Innovation Centre Kosovo” .

I shoqëruar nga nënkryetari i komunës, Avdullah Hoti dhe drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunë, Agim Dibrani, Mustafa është pritur nga drejtori Ekzekutiv, Uranik Begu i shoqëruar nga Kosovare Krasniqi prej Athene Prosjektledelse dhe Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK).

Udhëheqja komunale fillimisht është është informuar mbi punën dhe aktivitetet që zhvillon kjo qendër. Në këtë takim gjithashtu është diskutuar rreth formës bashkëpunimit të komunës me këtë qendër me qëllim të përgatitjes dhe rritjes së mundësive për punësimin e të rinjve kosovarë.

“Është një qendër e cila na jep shembullin më të mirë sesi mund të ndërtohen politikat ekonomike dhe politikat zhvillimore jashtë asaj çfarë mund të bëjnë institucionet e vendit sepse ideja e tyre po zhvillohet në ofrimin e programeve jo vetëm në tregun kosovar por edhe për tregun regjional dhe tregun evropian dhe atë botëror për sa i përket dijeve informatike për çka do të jetë një sukses shumë i madh”, tha Mustafa.

Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së pasi falënderoi kryetarin Mustafa për vizitën që i bëri kësaj qendre, shprehi besimin për një bashkëpunim sa më të afërt në të ardhmen me komunën e Prishtinës.

Mustafa poashtu është takuar dhe ka parë produktet e disa prej 17 ekipeve që aktualisht ndodhen në inkubatorin e ICK-së.

ICK është themeluar me qëllim që të mbështesë ndërmarrësin, inovacionin dhe zhvillimin e bizneseve të bazuara në komercializëm, me përqendrim në teknologji të informacionit dhe komunikimit. Qendra mbështet si kompanitë e sapo nisura ashtu edhe ato ekzistuese të cilat kanë potencial të rritjes. Innovation Centre Kosovo ofron shërbime të inkubimit, mentorimit dhe trajnimit të ndërmarrësve./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›