Premtimet ndaj Kosovës për anëtarësim, testim i kredibilitetit të BE-së

Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit Evropian për Zgjerim, Stefan Fyle, tha për Newstv se përkundër rregullave të tashme të zgjerimit, ku anëtarët e rinj pranohen vetëm me pajtimin e krejt vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e kur pesë vende të tij nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, është një premtim që duhet mbajtur.
“Jo vetëm Kosova, por secili vend në procesin e anëtarësimit mund të bëhet vend anëtar, sepse pasi që të jetë përcaktuar perspektiva evropiane për atë partner të veçantë, atëherë është në pyetje kredibiliteti i BE-së për të mbajtur premtimet e saj për aq sa vendi synues apo kandidat i kryen obligimet”, tha zëdhënësi Peter Stano, i pyetur nëse Kosova mund të jetë optimiste se një ditë do të mund të anëtarësohet në BE për shkak të rregullave të tashme të zgjerimit ku vendimet merren vetëm me unanimitet.
Stano tha se rregullat e Traktit të Lisbonës për zgjerim të BE-së nuk do të duhej dekurajuar Kosovën, e cila do të duhej që të vazhdoj me reformat dhe përpjekjet për të përmbushur kriteret në rrugën e gjatë dhe të vështirë për anëtarësimin.
“Nuk ka asnjë arsye për t’u dekurajuar apo për të qenë pesimist, sepse atëherë kur dëshiron që të ketë zgjidhje dhe kjo është mënyra evropiane, atëherë do të gjesh zgjidhje, sepse janë 27, 28 apo 29 vende anëtare që do të të përkrahin në këtë, shto këtu edhe Komisionin Evropian, sepse ne kemi përvojën, e kemi dijeninë dhe dëshirën. Kjo kështu sepse ky është një projekt për t’i bërë evropianët së bashku e jo për të përjashtuar dikë, por për të bashkuar kontinentin evropian për të mirën e të gjithë neve, përfshirë edhe popujt në Ballkanin Perëndimor”, tha Stano.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian flet edhe për punën që autoritetet e Kosovës duhet që të bëjnë tash për hapin e parë në integrimet evropiane të ndërlidhur me Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA) si dhe për gjasat e hapjes së bisedimeve me BE-në për këtë marrëveshje, e cila është e ndërlidhur ngushtë me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton.
Ai ndërkohë sqaron se sipas Komisionit Evropian ekzistojnë mundësitë legale që Kosova të hap bisedimet për MSA dhe ta nënshkruaj atë, për t’u futur kështu në marrëdhënie kontraktuare me BE, edhe pse pesë vende anëtare të saj nuk e njohin Kosovën aktualisht.
Peter Stano shtoi se Komisioni Evropian do ta ndihmojë Kosovën në zbutjen e dëmeve eventuale financiare pasi që Kosova të ketë nënshkruar MSA-në, për shkak të heqjes së taksës doganore për mallrat e importuara nga Bashkimi Evropian që pason me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje./Indeksonline/