Muzeu Arkeologjik mbyll dyert
Muzeu më i madh arkeologjik i vendit në qytetin e Durrësit po rikonstruktohet nga një projekt i financuar nga qeveria shqiptare, që kap shifrën e 104 milionë lekëve. Ndërhyrjet kryesore do të bëhen në fasadën e godinës, në sistemimin e oborrit dhe në rivitalizimin e katit të tretë të ndërtesës. Rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik të Durrësit do të përfshijë edhe objektet që ndodhen në oborrin e tij. Kapitelet, kolonat dhe objektet që janë depozituar në oborr do të vendosen sipas një projekti të përgatitur në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Vetëm në katin e parë të Muzeut ndodhen rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin IV të erës sonë. Objektet që ndodhen në fondet e muzeut janë mjaft të rëndësishme për historinë e qytetit 3000-vjeçar, veçanërisht në periudhën e Mesjetës së hershme dhe të mesme dhe ekspozimi i tyre do të shtojë interesimin e vizitorëve vendas dhe atyre të huaj për qytetin antik. Rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik pritet të përfundoje në prill të vitit 2012. Ky muze është përuruar në vitin 1951, ndërsa godina e re është hapur në vitin 2002. Deri në rikonstruksionin e plotë, Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka mbyllur dyert për vizitorët. Punimet kanë disa muaj që kanë filluar, por kanë qenë të përqendruara rreth tij, për të lënë brendësinë e muzeut të vizitohej gjatë sezonit veror nga turistë të huaj e vendas.