“Art dhe trashëgimi” kushtuar qytetit të gurtë
Në një aktivitet të veçantë të organizuar në banesën karakteristike të Skëndulajve, në Gjirokastër është promovuar numri i dytë i revistës “Art dhe trashëgimi”, i cili i dedikohet qytetit të Gjirokastrës. Promovimi i këtij botimi ka përkuar edhe me mbylljen e Kampit VII Ndërkombëtar të Restaurimit, të organizuar prej dy javësh në qytetin e gurtë. “Art dhe trashëgimi” është një revistë e cila botohet si bashkëpunim i Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Shoqatës Kulturore franko-shqiptare “Argjiro”. Numri i parë i këtij botimi kishte në qendër qytetin e Beratit, ndërkohë që numri i dytë i revistës përfshin në faqet e tij shkrime të ndryshme për Gjirokastrën e gurtë. “Numri i ri i revistës ‘Art dhe trashëgimi’ përfshin shkrime studimore, informative etj. për qytetin e Gjirokastrës, jo vetëm nga penat shqiptare, por edhe të huaja”, thotë presidentja e shoqatës ‘Argjiro’, Ilda Mara. Pjesë e aktivitetit të organizuar në banesën e Skëndulajve ka qenë edhe mbështetja e punës së bërë nga rreth 50 të rinj shqiptarë dhe të huaj si pjesë e Kampit VII Ndërkombëtar të Restaurimit. Për dy javë rresht ata kanë dhënë kontributin e tyre për mirëmbajtjen e disa objekteve “Monument Kulture”, si banesa e gurtë e Resajve, Çenajve, kompleksi i hamameve në zonën e shtatë krojeve të gurta etj.