E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Muzeu “Reina Sofia” në Spanjë, shfaqen 4 filma të regjisores shqiptare në eventin “Xhanfise Keko: Bota për fëmijët”

Krijimtaria artistike e regjisores shqiptare, Xhanfize Keko ka patur kohët e fundit një jehonë të madhe përtej kufijve. E radhës është në Spanjë, ku Muzeu “Reina Sofia” në Madrid, një nga institucionet më prestigjioze të kulturës spanjolle, organizon për herë të parë një tribut dedikuar tërësisht regjisores shqiptare, të titulluar “Xhanfise Keko: Bota për fëmijët”.

Kuratori, Chema Gozales ka përzgjedhur për të shfaqur për publikun spanjoll katër filma përfaqësues të Xhanfise Kekos: “Tomka dhe shokët e tij”, për të vijuar me “Beni ecën vetë”, “Mimoza llastica” dhe “Taulanti kërkon një motër”.

“Eshtë e mrekullueshme kjo që po ndodh, të prezantojmë më në fund një përfaqësues të kinemasë shqiptare dhe akoma më shumë një grua që, megjithëse shumë e njohur dhe shumë e vlerësuar në vendin e saj, fatkeqësisht vijon të jetë një kineaste e panjohur në historinë e kinemasë botërore për çfarë krijoi, ku krijoi dhe kur krijoi. Shpresoj shumë që ky tribut të ndihmojë sado pak për të vënë në vend këtë padrejtësi, ”theksoi kuratori në fjalën e tij.

Pjesë e këtij organizimi ishte edhe mbesa e regjisores, Denise Keko Andoni, e cila tregoi për të pranishmit copëza nga jeta e regjisores dhe punën e saj me fëmijët e filmave, që nga njohja deri tek ritakimet pas shumë vitesh.

Katër filmat e përzgjedhur do të shfaqen nga dy herë në këtë event, i cili nisi mbrëmjen e së mërkurës me filmin “Tomka dhe shokët e tij”, dhe do të vazhdojë deri më  29 prill 2023.

Por, retrospektiva dedikuar regjisores Xhanfise Keko, do të organizohet edhe në qytetin Santiago de Compostela nga NUMAX Kinema, nga data 2 – 24 Maj 2023

Disa nga shtetet e tjera në të cilën ka udhëtuar dhe është mirëpritur krijimtaria artistike e regjisore shqiptare janë: Amerika, Kanadaja, Brazili, Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania, Zvicra, Austria, Çekia, Rumania, Danimarka, Israeli, Greqia.

Gazetare: Ornela Ceka

/rtsh/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›