E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzeu historik në Tepelenë, destinacion i preferuar për turistët

Gjatë kësaj periudhe, Muzeu Historik i Tepelenës ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve, kryesisht të huaj, të cilët shfaqin interes të veçantë për historinë e zonës.

“Fillimi i pranverës sjell vizitorët e parë, ndërsa fluksi rritet dukshëm në fund të majit dhe fillim të qershorit. Përveç turistëve, muzeu mirëpret edhe nxënësit e shkollave të Tepelenës, me aktivitete të ndryshme edukative të zhvilluara sipas orëve të mësimit”, u shpreh Klejda Gaba, Përgjegjëse e muzeut historik në Tepelenë

Për të rritur numrin e vizitorëve, institucioni po bashkëpunon ngushtë me agjencitë turistike, duke krijuar kontakte të vazhdueshme që pritet të sjellin më shumë turistë në të ardhmen.

“Vizitorët e huaj tregojnë interes të veçantë për periudhën e komunizmit pas viteve ’45, si dhe për kampin e Tepelenës, pavionet e tjera dhe dëshmitë historike që ruhen aty”, tha ajo.

Muzeu Historik i Tepelenës mbetet një pikë referimi për ata që duan të njihen më nga afër me të shkuarën e zonës. Ai jo vetëm ruan dëshmi të vyera të historisë lokale, por edhe nxit turizmin kulturor, duke e kthyer Tepelenën në një destinacion gjithnjë e më të vizituar vit pas viti.

Gazetare: E. Domeri 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›