E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika krijon hapesire

Tingulli në film krijon një hapësirë tjetër. Anri Sala mbi këtë ide dhe kërkim disavjeçar tashmë në punën e tij si videoartist, prezanton Francën në Pavijonin Gjerman në Bienalen e Venecias. Është instalacioni i një simfonie filmike i quajtur “Ravel Ravel Unravel”. “Projekti im përbëhet nga këto dy pjesë, njëra i takon Ravelit, që luhet nga dy pianistë. Secila prej tyre shoqërohet nga Orkestra Kombëtare e Francës, e cila performon të njëjtin koncert, “Koncertin për dorën e majtë” të Moris Ravel, e porositur nga Pol Vitgenshtajn, vëlla i Ludvig Vitgenshtajn, i cili e kishte humbur dorën e djathtë në front, në Luftën e Parë Botërore.  Por të dy kohët e koncertit janë riorganizuar në mënyrë të tillë që kur ato prezantohen në të njëjtën kohë, në të njëjtën kuadër, ato vazhdojnë të jenë dhe të mos jenë në një zë, në një kohë, brenda dhe jashtë gjësë, duke prodhuar ndonjëherë përshtypjen e ekos muzikore dhe si rrjedhojë krijojnë një ndjesi të hapësirës”, shprehet ai. 
Projekti i Anri Salës prezantohet në pavijonin gjerman si shenjë e 50-vjetorit të Traktatit të Elizesë për miqësinë mes popujve. Pavijoni ndodhet në hapësirën kryesore të Bienales, në kopshtet e saj, prej 1 qershorit deri më 24 nëntor. Sala ka krijuar një rrugë të vetën nëpër edicionet e ekspozitës më të rëndësishme të artit bashkëkohor dhe për debutimin e tij në Bienale në vitin 2000 me “Uomo duomo” është vlerësuar artisti më i mirë ndër të rinjtë. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›