Muzika rege në Tiranë
Grupi britanik UB40, të dielën në mbrëmje interpreton në sheshin Skënderbe. Sjellin në Shqipëri një pjesë të repertorit të tyre. Në koncert pjesëmarrës edhe këngëtarë shqiptarë
Grupi britanik UB40 këtë të diel i prezanton publikut shqiptar disa nga këngët më të mira të tij në vite. Banda do të interpretojë në koncertin "Shqipëria në NATO", që realizohet nesër në orën 19:00 në sheshin "Skënderbe".
Koncerti i organizuar në kujdesin e Kryeministrisë do të ngjisë në skenë edhe këngëtarë shqiptarë, kosovarë dhe maqedonas që do interpretojnë disa orë rresht.
Skena ka filluar të ndërtohet që ditën e djeshme. Për këtë nga Gjermania është thirrur edhe një ekip specialistësh, të cilët veç skenës do të merren me te gjithë anën teknike të koncertit.
Qëndrimi i 6 anëtarëve të UB40 në Shqipëri nuk do të jetë më i gjatë se 24 orë. Ata mbërrijnë sot në mesditë në Tiranë dhe do të largohen menjëherë pas koncertit.
Po sot në mesditë, Ministria e Integrimit dhe njëkohësisht zëdhënësja Qeverisë, Majlinda Bregu, do të japë një konferencë për shtyp.
Koncerti i ditës së nesërme është konceptuar në formën e një feste për anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO.
UB40 me ritmet e muzikës rege është ftuar pikërisht për të krijuar një atmosferë festive. E ndërsa të parët në skenë do të ngjiten këngëtarët shqiptarë gjysma e dytë e koncertit është për bandën angleze. Artistët shqiptarë Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Jonida Maliqi etj. këtë mbrëmjë kanë një repertor të kufizuar prej dy këngësh. Hapësira më e madhe i është lënë grupit nga Britania.
Nuk është bërë ende i ditur repertori që UB40 interpreton nesër, por ajo që dihet është se koncerti do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit.
UB40 u krijua në Britani në fillim të viteve '80. Do të këndonin për disa vite në lokale deri sa grupi tjetër britanik, në atë kohë i afirmuar "The Pretenders", do t'i ftonte si grup shoqërues, në turneun e tyre kombëtar.
Grupi është i përbërë nga 6 anëtarë të kulturave të ndryshme, ajo që i bashkon është muzika rege të cilën kanë pothuajse 30 vjet që ia trasmetojnë publikut. Formacioni përbëhet nga James Brown, (bateri), Robin Campbell (kitarrë dhe vokal) Earl Falconer (kitarrë bas dhe vokal), Norman Hassan (perkusion dhe vokal), Brian Travers (saksofon) dhe Astro, (trombë dhe vokal).
Albumi i parë "Signing Off", e publikojnë në shtator të vitit 1980. Nëntë muaj më pas ata nxjerin albumin e dytë, "Present Arms", i cili përmbante këngë si "One in Ten", dhe "Food For Thought". Më pas vjen "Labour of Love", një nderim që grupi i bënte muzikantëve të cilët kishin influencuar muzikën e tyre.
Prej këtij albumi shkëputet edhe një hit i tyre "Red Red Wine". Kënga menjëherë do të kapte majat e klasifikimeve muzikore në Britaninë e Madhe ku do të qëndronte për dy vjet.
Po kjo këngë kapërceu kufijtë e Britanisë për tu renditur në vendet e para të klasifikimeve amerikane.
Suksesi i bandës do të vazhdonte edhe në vitet '90 me publikimin e albumit "Promises and Lies", i cili është albumi më i shitur i UB40. Pjese e tij është edhe kënga "Can' Help Falling In Love", kolonë zanore e filmit "Sliver" me aktorët Sharon Stone dhe William Baldwin.
Kjo është edhe kënga që e bën të njohur UB40-në Shqipëri. Banda e njohur ndryshe edhe si grupi i preferuar i ish presidentit të SHBA-së Bill Klinton në vitin 1997 publikon "Guns in the Ghetto", i cili përmban këngë si "Tell Me is it True", kolonë zanore e filmit "Speed II".
UB40 e treguan përkushtimin e tyre ndaj muzikës rege me albumin "UB40 Present The Dancehall Album", një bashkëpunim me artistë xhamaikanë si Beenie Man and Lady Saw. Në 2001-in vit që përkonte edhe me 21- vjetorin e debutimit të tyre me albumin "Signing Off", UB40 publikon albumin "Cover Up".
Albumi i baballarëve, një projekt që u mori tre vite kohë. I dha mundësinë bandës të punonte me artistë të rege-s si Toots Hibbert, Gregory Isaacs and John Holt. Albumi u publikua në vitin 2002. Qw nga ky vit UB40 ndërmarrin një turne koncertesh bamirësie për të ndihmuar njerëzit në nevojë, tw cilin e vazhdojnë ende.
Bashkia, aktivitete përgjatë "Dëshmorëve të Kombit"
Bashkia e Tiranës organizon sot në orën 18:00 përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" aktivitetin festiv "Një vend, një popull, një ëndërr".
Për të festuar anëtarësimin e vendit në NATO, Bashkia realizon një koncert me këngëtarët Stine, Mariza Ikonomi Julka si dhe grupet Produkt 28 e West Side Family. Koncerti i cili do të zgjasë më shumë se 5 orë do të shoqërohet nga grupe të baletit modern. Nën moton "Një vend, një popull, një ëndërr" pranë Galerisë së Arteve fëmijët do të intrepretojnë në një skenë të ndërtuar enkas për ta.
Po kështu pas orës 18:00 pranë Parkut "Rinia", do të organizohet një karaoke, një formë për të zbuluar "talente të reja". Për të siguruar zhvillimin në qetësi të aktiviteteve Bashkia e Tiranës do të ndalojë qarkullimin e automjeteve nga ora 12:00 e në vazhdim.
Shqipëria në kartolina
Koleksionisti grek Panajotis Koliomihalis ekspozon në Muzeun Kombëtar koleksionin e kartolinave, "Shqipëria nga 1892 deri më sot, nëpërmjet postëkartave shqiptare". Ekspozita është fruti i një pune 40-vjeçare. Të 3200 kartolinat me pamje nga natyra shqiptare, jeta urbane dhe rurale, disa nga vendet më piktoreske do të qendrojnë në sallën e vogël të muzeut kombëtar deri në daëtn 10 prill.
Revolucioni Francez zbret në TOB
Një histori dashurie në kohën e Revolucionit Frances prezanton sot Teatri i Operës dhe baletit. Në orën 19:00 për hetë të parë në skenën e këtij teatri luhet opera me akte "Andrea Chenier" e kompozitorit italian Umberto Giordano. Interpretojnë
Armaldo Klogjeri, Etleva Golemi, Ymer Kaca Irini Nikolla, Manjola Konjariu, Rudi Sata si dhe tenori italian Gianluca Zampieri
Qeramika belge në Akademinë e Arteve
Pak objekte për të treguar një art delikat. Kështu mund të përcaktohet ekspozita "Cer Amic" në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore. Katër artistë belgë Jacques Loly, Vinsent Kempenaers, Therese Lebrun dhe Anne Leçerc ekspozojnë rreth 12 punë qeramike, pjata, vazo dhe objektet të tjera. "Cer Amic" do të qëndrojë në shqipëri deri me datë 8 prill. Paralelisht artistët zhvillojnë seminare në Akademinë e Arteve për studentët dhe gjithë të interesuarit.