Shkelja e Protokollit, Topi, Berisha e Topalli sot në një avion
Tre drejtuesit më të lartë të shtetit shkelin protokollin. I gjithë delegacioni me një avion. Vendet se si do ulen anëtarët e delegacionit.
TIRANË- Tre drejtuesit më të lartë të shtetit, Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të shkelin sot për herë të dytë protokollin shtetëror.
Ata, jo vetëm që do të jenë në të njëjtën kohë jashtë vendit, teksa do të marrin pjesë në Samitin e NATO-s, por do të jenë edhe në të njëjtin avion. Pikërisht në orën 11.45 të mesditës së sotme, tre drejtuesit më të lartë të shtetit, bashkë me anëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar, do të jenë në një çarter, për të marrë pjesë në punimet e Samitit.
Në fakt, zyrtarja e lartë që ka shkelur protokollin në këtë rast, është Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka ndërhyrë fort që të jetë pjesë e delegacionit, edhe pse protokolli nuk e parashikonte një gjë të tillë. Madje pjesëmarrja e saj në delegacion ka vënë në pozicion të vështire edhe mënyrën, se ai ata do të qëndrojnë gjatë punimeve të Samitit në datën 4 Prill.
Në axhenden paraprake të zhvillimit të punimeve të NATO-s, thuhet se dy nga drejtuesit më të lartë dhe konkretisht Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha do të qendrojnë në tavolinën kryesore. 6 pjesëtare të tjerë të delegacionit do të qëndrojnë prapa, kurse katër të tjerë në dhomën e dëgjimit. Nuk dihet se në cilin nga këto vende do të ulet kryetarja e Kuvendit, kur krahas të tjerave, nisur edhe axhenda, drekat dhe darkat janë planifikuar vetëm për kryetarët e shteteve dhe qeverive, si dhe për ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes.
Më të mbërritur në Strasburg, delegacioni shqiptar do të pritet nga ambasadori ynë në NATO, Artur Kuko, ajo e Komisionit Europian, Margarita Gega dhe Shefi i Protokollit, Kristaq Robo. Më pas, ata do të akomodohen në hotel, ndërsa në orën 18.00 të pasdites do të mbërrijnë edhe kryetarët e shteteve dhe/ose qeverive të tjera, ku do të bëhet edhe përshëndetja formale.
Në mbrëmje janë parashikuar darka pune me kryetarët e shteteve dhe/ose qeverive me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hoop Scheffer. Samiti dy ditor, do të kurorëzojë një ngjarje historike për Shqipërinë, anëtarësimin e saj me të drejta të plota në NATO. Pikërisht nesër përmes një ceremonie të veçantë, në orën 10.00 të paradites, do të fillojnë punimet e Samitit, ku gjatë fjalëve përshëndetëse, do të jetë e pranishme edhe media.
Në mesditë është parashikuar edhe konferenca për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, që do të vijojë me takime informale, për të përfunduar me konferencën për shtyp, që do të mbajë kryeministri Sali Berisha rreth orës 15.30-16.00.