Muzikë mbi normën e lejuar, procedohet penalisht administratori i subjektit në Himarë

TIRANË, 30 gusht/ATSH/ Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të komisariateve në varësi vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun Vlorë, për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike.
Policia po vijon me monitorimin e subjekteve që vijojnë me organizimet e aktiviteteve me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje dhe ose në kundërshtim me normat e lejuara të vendosura nga organet kompetente.
Si rezultat i kontrolleve, në Dhërmi u konstatua një lokal ku gjenerohej muzikë mbi normën e lejuar, pas orarit të përcaktuar për mbyllje, duke prishur qetësinë publike.
Pajisjet muzikore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, për administratorin e subjektit, shtetasin E. A., 42 vjeç.
/m.m/